Ministri Gashi dhe drejtoresha e UNICEF-it diskutojnë për avancimin e të rinjve

15.05.2018 15:59:56

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot drejtoreshën regjionale të UNICEF-it në Kosovë, Afshan Khan, me të cilën ka diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë mes MKRS-së dhe UNICEF-it, si partner i rëndësishëm.

Gashi e ka informuar drejtoreshën e UNICEF-it për hapat që ka ndërmarrë MKRS-ja për përmirësimin dhe avancimin e politikave dhe jetës së të rinjve në Kosovë.

“Jemi në fazën finale të Strategjisë së re për Rini 2018-2022. Për herë të parë kemi themeluar një fond rinor për punësimin e të rinjve, me një vlerë prej 600 mijë euro si dhe kemi rritur buxhetin për subvencionimin e projekteve për të rinjtë”, ka thënë ndër të tjera ministri.

Ai po ashtu ka njoftuar drejtoreshën e UNICEF-it se do të fokusohen në angazhimin e të rinjve dhe në informim më të madh për vullnetarizmin nëpër të gjitha komunat e Kosovës.

Ndërkaq, drejtoresha Khan, është shprehur e gëzuar që ka avancim në fushën e rinisë në Kosovë sepse të rinjtë e Kosovës janë marrë si model në shtetin e Kolumbisë dhe Malajzisë.

Gjithashtu, ndër të tjera, ajo është shprehur e gatshme që të vazhdohet bashkëpunimi mes UNICEF-it dhe MKRS-së, duke veçuar fokusimin në inovacion që të rinjtë të avancohen në këtë fushë.

Ndryshe, MKRS-ja dhe UNICEF-i kanë bashkëpunim kryesisht në projekte dhe aktivitete që kanë pasur lidhje me fushën e rinisë në Kosovë, veçanërisht për programin e punës vullnetare.