Ministri Hoxhaj: Kosova është shtet i pavarur – Shqipëria nuk është aktor global sikurse SHBA-ja apo BE-ja

14.10.2016 17:22:31

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, në një reagim ndaj vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd dhe Nish, ka përjashtuar çfarëdo përzierje të Tiranës në raportet Kosovë –Serbi. Ai ka thënë se për këtë punë, Kosova e ka mbështetjen amerikane dhe europiane, ndërkohë që duke komentuar bashkëpunimin Beograd –Tiranë, kryediplomati kosovar ka theksuar se kjo është cështje bilaterale e këtyre dy vendeve.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ia ka dërguar një porosi Tiranës rreth  zërave të mundshëm për një rol të Shqipërisë në raportet e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për televizionin shqiptar ART në Maqedoni, ai ka përjashtuar çfarëdo lloj mundësie të përfshirjes së shtetit shqiptar duke thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe historikisht Shqipëria e ka të qartë këtë.

Madje Hoxhaj ka shkuar më larg duke thënë se Shqipëria nuk është akter global dhe Kosova natyrisht kërkon ndihmën amerikane apo të BE-së, por jo të dikujt tjetër.

“Për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, vetëm Kosova është aktor politik dhe Shqipëria besoj historikisht e ka të qartë këtë proces dhe besoj që edhe në të ardhmen do ta kenë të qartë. Kosova është shtet i pavarur sikurse çdo shtet tjetër në rajon ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global sikurse SHBA-ja apo BE-ja, prandaj ne në raport mes Kosovës dhe Serbisë natyrisht që kërkojmë mbështetje amerikane, dhe natyrisht që kërkojmë mbështetje evropiane meqë këta kanë edhe instrumente që të ushtrojnë ndikim. Ndërsa çdo bashkëpunim që mund ta ketë Shqipëria në rrafshin ekonomik është çështje bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë” ka deklaruar Hoxhaj.

Dje dhe sot, në Serbi po qëndron për vizitë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili është pritur me shumë rezerva në Kosovë jo vetëm në mesin e mediave por edhe të politikës zyrtare.

Pothuajse njëzëri kanë deklaruar se Shqipëria nuk duhet të ketë ndonjë rol në raportin mes Kosovës dhe Serbisë sepse normalizimi i marrëdhënieve mes këtyre vendeve i takon Prishtinës dhe Beogradit.