Ministri Hyseni: Gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit janë shënuar rezultate të jashtëzakonshme…

16.08.2016 15:42:49

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, është takuar të martën me anëtarët e Forumeve Lokale të Sigurisë të regjionit të Mitrovicës, ku përveç përfaqësuesve të jugut të Mitrovicës, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e forumeve nga komuna e Skenderajt dhe Vushtrrisë.

Në këtë takim u diskutua për trafikimin me qenie njerëzore, përdorimin e drogave, si dhe parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.

Ministri Hyseni tha se qëllimi i mbajtjes së këtyre tryezave është që të alarmohen të gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë në Kosovë në lidhje me këto probleme.

Sipas tij, këto tre fusha specifike, janë thelbësore për sigurinë e përgjithshme në vend.

“Përkundër faktit që në raportin amerikan të shtetit të fundit në fushën e trafikimit me qenie njerëzore kemi qëndruar deri në nivel, përkundër faktit që policia e Kosovës merr vlerësim shumë të lartë edhe Ministria e Punëve të Brendshme, kjo nuk na bënë neve të ndjehemi mirë kur e dimë që në procedurat e mëtejme të trajtimit të fenomenit të trafiklimit me qenie njerëzore, tek prokuroria dhe gjyqësia nuk kemi qenë sa duhet të suksesshëm”, ka thënë Hyseni.

Ai theksoi si çështje tjetër shumë brengosëse kohët e fundit edhe përdorimin e narkotikëve dhe drogave të ndryshme tek grup-moshat e mitura, sidomos nëpër shkolla.

“Numri i përdoruesve në Kosovë është alarmant. Edhe kjo duhet të na jap njëfarë alarmi, sepse në pyetje janë fëmijët tanë, mbesat, nipërit, qytetarë të Republikës së Kosovës”, tha Hyseni.

Ai ka bërë të ditur se familja dhe shkolla janë vendet ku duhet kushtuar kujdes të veçantë ndaj atyre që janë përdorues të kësaj dukurie negative.

Duke folur për ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, ministri Hyseni tha se falë organeve gjegjëse të vendit, kjo dukuri ka shënuar rezultate pozitive.

“Për fat të mirë në Kosovë, gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit janë shënuar rezultate të jashtëzakonshme…dhe kjo ka ardhur si rezultat i punës së shkëlqyeshme që kanë bërë organet e rendit dhe ligjit në Kosovë, mbi të gjitha policia e Kosovës me departamentet përkatëse, MPB-ja, mirëpo mbi të gjitha si rezultat i punës që keni bërë ju”, tha ai.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka potencuar se qyteti i Mitrovicës është ndër qytetet më stabile të vendit, përkundër specifikave të veta.

“Ju e dini se Mitrovica gjithmonë ka qenë dhe ende mbetet qytet specifik, qytet i cili në të kaluarën ka pasur tensione, qytet me të cilin nuk është marrë vetëm Mitrovica, Prishtina, Brukseli, por është marrë edhe Vashingtoni dhe Këshilli i Sigurimit…Mund të them me kënaqësinë më të madhe se Mitrovica sot radhitet ndër qytetet më stabile në Kosovë”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka falënderuar në radhë të parë qytetarët, por edhe institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës për ruajtjen e qetësisë në këtë qytet.

Afërdita Milullovci, zëvendës drejtoreshë e policisë për rajonin e Mitrovicës, ka prezantuar veç tjerash punën e susksesshme dhe rezultatet e policisë të arritura në këtë drejtim.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë me tri komunat dhe komandantët në Vushtrri, Skenderaj dhe jug të Mitrovicës, kanë arritur që me disa angazhime shumëdimenzionale paralelisht të ofrojnë siguri të qytetarëve dhe njëkohësisht të rezultojë me zbritje të krimit, reduktim të krimit në rajonin tonë, dhe ngrirtje të aktiviteteve të shumta duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me institucione tjera”, ka thënë mes tjerash nënkolonelja Mikullovci.

Sipas saj, shqetësim vazhdon të mbetet përdorimi i narkotikëve, dukuri kjo që është në ngritje për një shkallë në raport me vitet e kaluara.