Ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi u vra para 18 vitesh: Ku ishe ti deri tash, Enver Robelli?

22.09.2016 12:11:55

Nga Rexhep Kastrati

Enver Robelli paska bërë një shkrim goxha të gjatë dhe na paskësh kërcyer sa nga betoni, sa nga asfalti, sa nga vrasjet politike! Dhe në këto kërcime, i shkreti Enver na qenkësh kapur edhe për vrasjen e ministrit të Mbrojtes, kolonel Ahmet Krasniqi, i cili është vrarë më 21 shtator 1998, pra dje 18 vjet më parë. Dhe ky farë Enver Robelli, nuk ua paska zënë për të madhe hahsimit dhe të tjerëve të prontos, pse kanë heshtur për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, por ua paska zënë për të madhe pjesëtarëve të sektës okulte të Albinit, pse paskan heshtur. Ky maskara i gazetarisë shqiptare që na ka shitur dhe po na shet mend nga mijëra kilometra larg Kosovës, që luftën, masakrat serbe ndaj shqiptarëve, mund t’i ketë parë në televizor, bën sikur nuk e di se Albin Kurti ka qenë pjesë e plojës, pjesë e linjës së Tiranës/Kretës në kohën kur është vrarë ministri i Mbrojtjes, dhe ka mbetur po aq kundërshtar i linjës institucionaliste të presidentit Rugova dhe përgjithësisht organizimit ushtarak institucional të shqiptarëve të Kosovës, sa në kohën e luftës. Ky farë gazetari që nga Perëndimi na shet mend neve që kemi kolegë të vrarë gazetarë, e për të cilët kurrë gojën nuk e ka çelë, ne që vetë jemi kërcënuar, jemi sulmuar me bomba dhe jemi kërcënuar me likudim familjesh, vetëm pse patëm kurajo të denonconim krimin politik, jo nga Perëndimi, por nga këtu, nga Kosova, nga Prishtina, nga Drenica, nga Prizreni dhe nga qytetete dhe vendbanime të tjera të Kosovës, harron se krimi politik kurrë nuk është dënuar asverbalisht, kurse kolegë të tij nga “Koha ditore”, fyenin rëndë viktimat e këtij krimi. Dhe të gërvallësh për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit pas 18 vjet heshtjeje, dhe aq më tepër të presësh nga një sektë që është mishërim i kundër-rugovizmit dhe gjithçkaje institucionale në Kosovë, është vërtet marre e madhe, është mjerim, është injorancë. Pse nuk e ka pyetur veten ndonjëherë ky Enver Robelli, çfarë ke bërë gjatë këtyre 18 viteve? Dhe çka të tjerët kanë bërë gjatë këtyre 18 viteve? A e ke dënuar ndonjëherë vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, kolonel Tahir Zemajt, të kolegëve në profesion: Ali Ukaj, Afrim Maliqi, Enver Maloku, Shefki Popova, Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti, por edhe personalitetet politike: Shaban Manaj, Ismet Rraci, Ukë Bytyçi, Smajl Hajdaraj dhe shumë të tjerë? Janë 18 vjet, janë 18 vite dhumbjeje, jo vetëm për vrasjet e tyre, por edhe për heshtjen, edhe për përbuzjen, sepse janë 18 vjet kur janë fyer mbi baza kombëtare dhe të dinjitetit personal. Dhe ende vazhdojnë të fyhen. Dhe këtë e kanë bërë edhe korpusi mediatik që dirigjohej dhe dirigjohet nga falangat e krimit, nga ata që kanë vrarë dje, dhe që kanë bërë alibinë dhe avokatinë e vrasjeve. Por janë fyer edhe nga ata që veten e quajnë analistë politikë dhe që kanë ndotur dhe ndotin studiot e ndryshme televizive, gazetat dhe portalet. Megjithatë nuk kanë heshtur të gjithë, edhe pse disa prej atyre që nuk kanë heshtur, ka vite që janë vrarë, dhe po vriten edhe me marrëzira gjykatash që pastrojnë dosjet e vrasësve të tyre. Dhe ky farë Robelli bën mirë që ta dijë këtë fakt, ta dijë se derisa të tjerët jo vetëm kanë heshtur, por edhe janë bërë pjesë e filozofisë së krimit, kanë shetitur rrugëve të shteteve pereënimore duke marrë rroga të majme dhe duke bërë jetë luksi, disa të tjerë nuk kanë heshtur dhe janë mbushur faqet e gazetave me denoncime të krimit politik, edhe pse kërcënoheshin, sulmoheshin dhe vriteshin. Këta të fundit besonin në vlerat e lirisë, në shpirtin e sakrificës dhe në kërkim të lirisë së mirëfilltë, në të cilën të gjithë kanë të drejtë për të jetuar, e jo për t’u vrarë.