Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj me...

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj me agjendë lobimi në Nju Jork

17.03.2017 21:28:39

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është duke zhvilluar agjendën e tij të lobimit për njohje të reja për Kosovën.

Në kuadër të agjendës lobuese, në ditën e parë të qëndrimit në New York, ministri Hoxhaj ka takuar ministrin e Jashtëm të Armenisë, Edward Nalbandian dhe ambasadorët e akredituar në OKB, të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.

Duke i informuar për arritjet e Kosovës në shtet ndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, Hoxhaj ka kërkuar nga përfaqësuesit e këtyre shteteve që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Kryediplomati kosovar përveç kërkesave për njohje ka shprehur interesimin për thellimin e bashkëpunimit me këto vende në fushat e interesit të përbashkët.

“Në ditën e parë të vizitës sime në New York, në takimet që zhvillova, kam kërkuar nga përfaqësuesit e shumë vendeve jo-njohëse ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe u kam shprehur interesimin për bashkëpunim jo vetëm në rrafshin bilateral por edhe në fushat e tjera të interesit të përbashkët. Qëllimi ynë është që ta rrisim numrin e njohjeve për Kosovën, gjë e cila do të na e lehtësojë anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare në rast të aplikimit”, ka thënë Hoxhaj.

Gjatë ditëve të qëndrimit në New York, Hoxhaj ka takuar edhe ambasadorët e vendeve mike, të Francës dhe Italisë si dhe udhëheqësit e Kongresit Botëror të Hebrenjve.

Hoxhaj pas takimeve të tjera në New York do të ketë vizitë edhe në Washington.