Ministri Ismaili: T’i japim zgjidhje demarkacionit ashtu siç e meritojnë qytetarët

04.12.2017 18:19:21

Ministri i Shëndetësisë njëherësh edhe nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se çështja e Demarkacionit është bërë barrë për të gjithë, e cila duhet të largohet.

Ai tutje tha se komisioni nuk ka sjellë fakte të reja, duke shtuar se asgjë nuk ka ndryshuar.

“Jemi duke e bërë peng rininë tonë, kemi një problem shtetëror që e kemi bërë problem politik. Ne duhet ti japim zgjidhje çfarë e meritojnë qytetarët e Kosovës e jo ta kthejmë sërish në pozicion politik këtë çështje”, u shpreh Ismaili në emisionin Përballje në TV Dukagjini.

Ministri Ismaili ka thënë se dëshiron që shëndetësia të debatohet po aq sa tema e demarkacionit.

“Unë si ministër i Shëndetësisë kam dëshirë që shëndetësia të debatohej aq shumë sa debatohet Demarkacioni. Kjo temë është duke e zënë Kosovën peng, është bërë një barrë për të gjithë e cila duhet të largohet”, ka thënë Ismaili.

Ndryshe, sot Haradinaj e procedoi për në Kuvend marrëveshjen e Demarkacionit së bashku me raportin e Komisionit të emëruar nga ai, e ku tani pritet diskutimi dhe votimi nga deputetët.