Ministri izraelit thirrje për dënim me vdekje për të burgosurin palestinez

27.12.2017 14:41:19

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman bëri thirrje për dënim me vdekje të palestinezit Omer al-Abd, i cili ka vrarë tre kolonë hebrenj në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Liberman i cili pritet që në Parlament të propozojë projekt-ligjin që do të sjellë dënimin me vdekje për palestinezët, sot ka bërë thirrje që të jepet dënimi me vdekje për palestinezin Abd ku seanca për gjykimin e tij do të mbahet ditën e sotme.

Në një postim nga llogaria e tij në Twiter, Liberman tha se “Ndëshkimi më i përshtatshëm që mund të jepet ndaj këtij lloji të krimit është vdekja. U bëj thirrje gjyqtarëve që të jenë guximtarë dhe të japin ndëshkime me dënime me vdekje. Gjaku i hebrenjve nuk është i lirë. Për terroristët nuk ka vend as në burgje”, transmeton Anadolu Agency.

Në një sulm me thikë në muajin korrik në njësinë e vendbanimeve hebreje Neve Tsuf në qytetin Ramallah, humbën jetën 3 hebrenj dhe një tjetër u plagos. Omer el-Abd i cili kreu sulmin u arrestua më pas nga ushtarët izrelitë të cilët hapën zjarr duke e plagosur. Pas kësaj ushtarët izraelitë shembën shtëpinë e Abd.

Sipas lajmeve në shtypin lokal, palestinezi sulmin e kishte kryer si reagim ndaj shkeljeve të kryera nga Izraeli kundrejt Mesxhid-i Aksasë.

Në Kudsin Lindor nën pushtimin e Izraelit jetojnë më shumë se 200 mijë kolonë hebrenj ndërsa në Bregun Perëndimor mbi 400 mijë kolonë hebrenj. Sipas të drejtës ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet hebraike në territoret palestineze konsiderohen të paligjshme.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Liberman ka njoftuar se projekt-ligji i diskutueshëm për dënimin me vdekje do të paraqitet sot në parlament për votim në raundin e parë.

“Një ligj i këtij lloji është i pranishëm edhe në ligjet e SHBA-ve. Për këtë arsye preferohet që edhe Izraeli të ndjekë sistemin më të fuqishëm demokratik në botë”, ka deklaruar më parë Lieberman në lidhje me projekt-ligjin i cili parashikon dënimin me vdekje për palestinezët që kryejnë sulme kundër objektivave izraelite.

Për vendosjen e dënimit me vdekje në Izrael, projekt-ligji duhet të kalojë në tre raunde të votimit në Parlament.