Ministri Murati: Përfaqësimi i diasporës në Kuvend, do të duhej të ishte 5 vende

23.07.2016 18:42:23

Kërkesa e kamotshme e bashkatdhetarëve  për vendet e rezervuara në institucionin më të lartë të vendit,  pra në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vështirë se do të mund të realizohen brenda një afati të shkurtër, pasi që, për këtë kërkohet ndryshimi i aktit më të lartë juridik, të Kushtetutës së Kosovë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Kosova Info, numri një i Ministrisë së Diasporës, Valon Murati, ku sipas mendimit të tij personal, krijimi i vendeve të rezervuara (mendoj se ky numër do të duhej të ishte 5 vende), do të ishte zgjidhja më e mirë për përfaqësimin e diasporës sonë në institucionet e vendit.

Megjithatë, sipas ministrit Murati, siç e ka thënë tani, disa herë edhe publikisht, e të njëjtën ua ka thënë edhe bashkatdhetarëve në takime të ndryshme me ta, ky duhet të jetë një synim afat mesëm dhe afatgjatë, sepse, sipas tij, në planin afatshkurtër ka vështirësi në realizimin e këtij projekti.

“Problemi kryesor qëndron në vështirësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, për çka nevojiten jo vetëm 2/3 e tërë deputetëve të kuvendit, por edhe 2/3 e deputetëve të komuniteteve pakicë. Nëse e shikojmë se çka po ndodh me ndryshimet kushtetuese për çështjen e shndërrimit të FSK-së në ushtri, e kuptojmë vështirësinë e ndryshimeve të Kushtetutës”, ka thënë ministri Murati.

Ministri Murati, ka shtuar se vendet e rezervuara për diasporën, duhet të jetë një projekt i së ardhmes, por i cili vështirë se do të implementohet në këto momente.

Përndryshe, bashkatdhetarët tanë, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës, në vazhdimësi kanë kërkuar vende të rezervuara në Parlamentin e Republikës së Kosovës, pasi që sipas tyre, me pjesëmarrjen  e tyre në institucionin m të lartë të shtetit, do të jenë më afër atdheut, që të diskutojnë për gjërat e ndryshme,  si për të arriturat e tyre, por edhe për problemet, me të cilat  ata ballafaqohen në vendet ku jetojnë.

Por, siç duket fati i vendeve të rezervuara për diasporën, është I lidhur ngushtë më ndryshimet Kushtetuese, e që një fat të tillë do ta ketë edhe çështja e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës  në ushtri.