Ministri Murati: Viti 2016 i suksesshëm dhe me sfida

Ministri Murati: Viti 2016 i suksesshëm dhe me sfida

29.12.2016 11:05:45

Ministri i Diasporës Valon Murati në një konferencë përmbyllëse me gazetarë foli për sfidat dhe betejat e vjetra që përherë siç tha ai, kërkojnë energji të reja. Në mesin e vështirësive të të gjitha natyrave, këtë vit tha ministri Murati kemi punuar që marrëveshja për arsimin shqip në diasporë, së bashku me Republikën e Shqipërisë, të japë rezultatet e para.

Po kalon edhe viti i dytë në krye të Ministrisë së Diasporës me përvoja të reja në punën me diasporën tonë, por edhe me sfida dhe beteja të vjetra që përherë kërkojnë energji të reja, tha Murati në konfrenecën me gazetarë.

Me gjithë sfidat në këtë punë, tha ai, çdo ditë e më shumë ndiej kënaqësi për të arriturat e njerëzve tanë në diasporë dhe, njëkohësisht, jam i lumtur që kam mundësinë që shumë prej këtyre njerëzve të suksesshëm edhe t’i takoj personalisht dhe të punojmë bashkërisht për të mirën e komunitetit tonë kudo që ai jeton.

Murati përmendi se në mesin e vështirësive të të gjitha natyrave, këtë vit kemi punuar në disa drejtime që besoj se do të japin rezultatet e tyre në vitet në vijim.

“Kemi punuar që marrëveshja për arsimin shqip në diasporë, së bashku me Republikën e Shqipërisë, të japë rezultatet e para. Është punuar në kurrikulat e përbashkëta, në dokumentin e standardeve, ndërsa tani gjendemi para sfidës që marrëveshja vitin e ardhshëm të përfshijë edhe komponentën financiare, në mënyrë që të gjithë të mund të ecim para me fuqizimin dhe institucionalizimin e mësimit shqip në diasporë”, tha ai.

Këtë vit, gjithashtu, së bashku me institucionet e tjera qeveritare, komunale dhe joqeveritare, kemi organizuar afro 200 aktivitete gjatë Ditëve të Diasporës, në muajt e verës. Kemi qenë të kujdesshëm që niveli i aktiviteteve të ketë rritje, duke qenë të vetëdijshëm se gjithnjë ka hapësirë për përmirësim. Të gjitha këto aktivitete janë zhvilluar me moton tanimë të njohur: “Ti je pjesë e atdheut”.

Me këtë moto kemi vazhduar edhe procesin e regjistrimit diasporës, duke evidentuar rreth 400 mijë bashkatdhetarë. Ky është viti i fundit i regjistrimit fizik, i cili do të vazhdojë edhe për pesë vjet si regjistrim “online”. Shfrytëzoj rastin t’u bëj ftesë të gjithë bashkatdhetarëve që të regjistrohen në platformën “online”, ose edhe në konsullatat dhe ambasadat tona.

Këtë vit kemi organizuar kampin veror dhe shkollën verore pak më ndryshe, por gjithnjë duke bërë përpjekje të shërbejnë si modele të afrimit të fëmijëve tanë nga diaspora me vendin e vet, gjuhën dhe kulturën e të parëve të tyre. Për herë të parë organizuam edhe Olimpiadën sportive, për të cilën po punojmë që tani e tutje të jetë tradicionale. Do të vazhdojmë t’i organizojmë ekskursionet dhe kuizet e diturisë për fëmijët e diasporës, si urë lidhëse me Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare.

Projektin e punës praktike për studentët e kemi zgjeruar në një projekt më të madh e të përbashkët edhe më Republikën e Shqipërisë dhe tanimë të rinjtë tanë mund ta kryejnë praktikën në institucionet e të dyja shteteve. Kemi afruar avokatët dhe ekspertët ligjorë me vendin dhe besoj se kjo do të vazhdojë të fuqizohet edhe vitin e ardhshëm.

Gjatë tërë vitit kemi qenë afër bizneseve nga diaspora, jo vetëm duke i vizituar këtu në Kosovë dhe në diasporë, por edhe duke bërë përpjekje maksimale për t’i zgjidhur problemet që ata kanë mundur t’i kenë në Kosovë. Kemi dhënë kontributin tonë në fushën e lirimit të pronave, si dhe të funksionalizimit të mekanizmave gjyqësor që do t’i trajtonin rastet e investitorëve nga jashtë, duke përfshirë ata nga diaspora, kanë dhënë rezultatet e para. Sigurisht, ka ende punë nga të gjithë ne që të punojmë për një ambient edhe më të mirë të të bërit biznes, duke qenë i bindur për potencialin e madh investues që ka diaspora jonë. Në të gjitha këto përpjekje kemi qenë afër me Rrjetin e Biznesit të Diasporës Shqiptare, i cili sivjet e organizoi edhe Samitin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Nju-Jork.

Samiti i Parë i Diasporës Shqiptare, i organizuar këtë vit edhe me kontributin e Ministrisë së Diasporës, shpresojmë të bëhet tradicional dhe të japë rezultate konkrete.

Vitet e ardhshme do të jenë sfidues për ne në disa drejtime: njëri ndër to është institucionalizimi i mësimit shqip në diasporë. E dyta është tërheqja e ekspertizës nga diaspora në projekte afatshkurtra dhe afatgjata në Kosovë. E treta është projekti që një pjesë të remitancave t’i futim në zhvillimin ekonomik të vendit përmes skemës së granteve korresponduese në bujqësi dhe teknologji informative. E katërta është hapja e qendrave të përbashkëta kulturore me Republikën e Shqipërisë. Në fund, vitin e ardhshëm do të futet në procedim edhe hartimi i ligjit të ri për diasporën dhe mërgatën. Besojmë se përmes tij dhe duke u bazuar në përvojën e deritanishme, do t’i promovojmë modelet më të mira të organizimit të diasporës dhe të vendosjes së urave të bashkëpunimit në mes të diasporës dhe atdheut, njofton Ministria e Diasporës.