Ministri Tahiri kërkon fakte, ose përballjen me drejtësi

11.01.2018 17:52:59

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është shprehur i shqetësuar me akuzat publike që po bëjnë individët, pa pasur asnjë përgjegjësi publike.

Duke u nisur nga deklaratat e Bajrush Morinës sot, ministri Tahiri ka kërkuar menjëherë nga Kryeprokurori që të merren masa menjëherë.

Në rrjetin social Facebook, ministri Tahiri ka theksuar se nuk mund të rrijë indiferent, duke kërkuar vendosjen e një standardi të përgjegjësisë për fjalët publike që thuhen pa u mbështetur në fakte.

Statusi i plotë i Ministrit Tahiri:

Liria e shprehjes nuk është vetëm e drejtë dhe liri themelore e njeriut, por edhe vlerë e garantuar me të gjitha format e manifestimit të saj nga Kushtetua e Republikës së Kosovës dhe legjislacioni në fuqi.

Megjithatë, ne jemi në një periudhë kohore ku përpjekjet për ngritjen e shtetit të së drejtës janë më serioze se kurrë më parë. Rrjedhimisht, shteti ligjor nuk duhet dhe nuk mund të cenohet nga askush që vë në mëdyshje vendosmërinë e tij për zbatimin e drejtësisë, duke aluduar në ngjarje dhe rrethana pa i mbështetur në fakte.

Është folur shumë për kategorizimin e individëve si vrasës pa dhënë argumente konkrete. Një etiketim të ngjashëm patëm edhe sot, ku një qytetar i Kosovës akuzoi publikisht njërin nga deputetët e Kuvendit për një vrasje të pretenduar.

Jam tejet i vendosur që kësaj praktike t’i vendoset një standard i përgjegjësisë që e pason. Rrjedhimisht, kam kërkuar nga Kryeprokurori i Republikës së Kosovës që këtë rast ta trajtojë menjëherë, në mënyrë që pretenduesi të paraqesë faktet e pretenduara përmes së cilave akuzon njërin nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ose në të kundërtën të ballafaqohet me sistemin e drejtësisë.