Ministria e Arsimit cakton datën mbajtjes së Testit të Arritshmërisë

29.05.2020 18:37:27

Më 23 qershor do të mbahet Testi i Arritshmërisë për klasat e nënta në Kosovë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka njoftuar sot nxënësit e klasave të nënta, mësimdhënësit dhe të gjithë akterët arsimor në Republikës së Kosovës se data e mbajtjes së Testit të Arritshmërisë është caktuar me 23 qershor 2020.

”MAShTI ka përgatitur dhe ka dërguar te DKA-të udhëzuesit dhe informacionet e detajizuara për nxënësit, institucionet arsimore dhe për të gjithë akterët e përfshirë në organizimin dhe administrimin e Testit të Arritshmërisë 2020. Në këto dokumente janë të përfshira informacione dhe udhëzime të rëndësishme sikurse data dhe afatet me rëndësi, organizimi kohor për ditën e testimit, rolet dhe përgjegjësitë për realizimin e Testit të Arritshmërisë, detyrat e palëve kryesore të përfshira në administrimin e testit, detyrat e DKA-ve dhe shkollave, MAShTI-t, detyrat e komisionit të qendrës së testimit, detyrat e administruesit të testit, informata, udhëzime dhe rregulla për nxënësit, etj”, thuhet në njoftim.

MAShTI bën të ditur, se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me Drejtoritë Komunale për Arsim në mënyrë që i tërë procesi i realizimit të këtij testi të rëndësishëm të përmbyllet me sukses.