Ministria e Drejtësisë e pranon gabimin për zyrtarët e burgjeve

20.10.2016 16:22:40

Njoftimi i dërguar dje në lidhje me ngritjen e aktakuzës kundër dhjetë zyrtarëve të Shërbimit Korrektues ka qenë një keqinterpretim, thekson Ministria e Drejtësisë.

Përmes një komunikate, Ministria e Drejtësisë sqaron opinionin rreth një njoftimi që e kishte dërguar dje në lidhje me ngritjen e aktakuzës kundër dhjetë zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, njoftimi i djeshëm ka qenë një keqinterpretim.

“Ministria e Drejtësisë, ka pranuar një shkresë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku është informuar për hetimet apo ndjekjen penale të disa zyrtarëve të këtij institucioni. Kjo shkresë është keqinterpretuar se gjoja ndaj tyre është ngritur aktakuzë”, thekson komunikata e sotme e Ministrisë, në të cilën kërkon falje për shqetësimin e krijuar.

KALLXO.com shkroi mbrëmë për reagimin e Besnik Berishës, avokat i njërit prej 10 zyrtarëve të Shërbimit Korrektues, i cili tha se informacioni i dhënë nga Ministria e Drejtësisë ishte i pasaktë.

Pas komunikatës së Ministrisë së Drejtësisë, në të cilën thuhej se janë shkarkuar 10 zyrtarë të Shërbimit Korrektues pas aktakuzës së ngritur kundër tyre, KALLXO.com kontaktoi prokurorë e zyrtarë të ShKK-së, të cilët nuk dinin gjë për aktakuzën për të cilën kishte njoftuar Ministria.