Ministria e Financave: Buxheti i Komunave mbi 10% rritje në 2018

05.04.2017 17:03:34

“Buxheti i Komunave për vitin 2018 arrin 482.41 mil euro, që është për 42 mil euro (10%) më shumë se këtë vit.

Komisioni i Granteve ka aprovuar grantet komunale për vitet 2018-2020, bazuar plotësisht në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal. Rritjen më të madhe do ta ketë granti i përgjithshëm, i cili rritet për 24 mil euro (nga 149 mil euro në 173.60 mil euro). Granti për arsim arrin në 170 mil euro, që është një rritje për 7 mil euro. Ndërkaq, granti për shëndetësi do të jetë 48.5 mil euro që është një rritje për 4 mil euro. Komunat do të marrin edhe buxhetin për shërbimet rezidenciale, pastaj të hyrat vetanake etj.

Kjo rritje e buxhetit komunat do të shkojë kryesisht në investime të reja kapitale, në furnzimim më të mirë të shkollave dhe të institucioneve shëndetësore.

Ky buxhet është më i lartë që kanë pasur ndonjëherë komunat dhe është falë performancës shumë të mirë të të hyrave në nivelin qendror.

Ky buxhet i komunave do të bëhet pjesë e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2018-2020, që aprovohet në Qeveri gjatë muajit prill dhe dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtime të mëtejme.

Falënderoj të gjithë anëtarët e Komisionit të Granteve për mbështetjen dhe votimin e financimit komunal të përgatitur nga Ministria e Financave.” ka njoftuar ministri i finacave , Avdullah Hoti.

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës