Ministria e Jashtme: Deklaratat e Daçiçit për njohje janë të parëndësishme

15.04.2018 20:07:53

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë thënë se deklaratat e Ivica Dacic janë të parëndësishme kur flet për Kosovën. Jetlir Zyberaj, Këshilltar i Pacollit, ka thënë se prioritet i diplomacisë kosovare është shtimi i njohjeve dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

S’kanë kurrfarë rëndësie deklaratat e Ivica Dacicit. Kjo është përgjigja që ka dhënë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, lidhur me paralajmërimet e kryediplimatit serbe se numri i njohjeve për Kosovën do të bie nën 100.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë për Express, se diplomacia e Kosovës merret me shtimin e njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. E, jo me deklaratat e parëndësishme të Dacicit.

“Republika e Kosovës është duke u konsoliduar në vazhdimësi në rrafshin ndërkombëtar. Në vazhdimësi prioritet yni është shtimi i numrit të njohjeve, formalizimi i marrëdhënieve diplomatike dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

 

“Në këtë drejtim është dike u bërë një punë e madhe. Ajo çka mund të thotë Dacic ose ndonjë zyrtar tjetër serb është e parëndësishme dhe për ne nuk përbën kurrëfarë relevance”, ka thënë Zyberaj.

Zyrtarët serbë, përfshirë Ivica Dacic e Aleksander Vucic vazhdimisht lobojnë për tërheqjen e njohjeve për Kosovën. Së fundmi, është raportuar se diplomacia serbe ka bindur Burundin ta tërheq njohjen për Kosovën.

Por, në Kosovë kanë mohuar mundësinë që ndonjë shtet të ketë tërhequr njohjen pasi një proces i tillë nuk është i njohur në diplomaci.