Ministria e Punës paralajmëron padi për shpifje ndaj punëtores që bëri kallëzim penal për kolegët e saj

26.03.2021 14:32:06

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka reaguar pasi një punëtore e kësaj ministrie ka bërë kallëzim penal ndaj shtatë kolegëve të saj, që sipas saj, ata kanë keqpërdorur detyrën  zyrtare.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se pohimet e Njomëza Ibishi -Zogaj nuk janë të vërteta, duke shtuar më tej se do të ngrisin padi ndaj saj, për shpifje, cenim të integritetit dhe shkelje të privatësisë.

“Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, i cili, duke mos e njohur figurën shantazhuese të Njomëza Ibishit-Zogajt, dhe duke mos qenë i njohur me ecurinë e zhvillimeve brenda institucionit, përmbajtja e shkrimit të djeshëm, në emër të zyrtarëve të MPMS-së të përmendur dhe të pasqyruar vizuelisht në mënyrë shumë joetike dhe të padrejtë, njoftojmë publikun se pohimet e shkruara nga autorja e shkrimit nuk përkojnë aspak me të vërtetën”, thuhet në reagim.

Më poshtë, reagimi i plotë:

“Gjatë orëve të pasdites së djeshme, në disa mediume elektronike është publikuar një shkrim, titulli dhe përmbajtja e të cilit kishte synim përbaltjen dhe denigrimin e shtatë zyrtarëve të niveleve të ndryshme të ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ky shkrim është hartuar dhe shpërndarë në adresat e shumë mediumeve nga Njomëza Ibishi-Zogaj (punonjëse e kësaj ministrie), përmes portalit ‘Kosinfo.net’ portal ky që administrohet nga bashkëshorti i saj.

Ky reagim po bëhet në emër të Zyrës për Komunikim me Publikun të ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për shkak të keqinformimit të publikut rreth, gjoja, ‘keqpërdorimit’ të detyrës zyrtare nga shtatë zyrtarë të përmendur me emër e mbiemër dhe fotografi në shkrimin tendencioz, i cili, fatkeqësisht është publikuar nga shumë mediume tjera pa përfillur etikën gazetareske (përjashto disa mediume që kanë fshehur identitetin e zyrtarëve të apostrofuar përmes inicialeve).

Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, i cili, duke mos e njohur figurën shantazhuese të Njomëza Ibishit-Zogajt, dhe duke mos qenë i njohur me ecurinë e zhvillimeve brenda institucionit, përmbajtja e shkrimit të djeshëm, në emër të zyrtarëve të MPMS-së të përmendur dhe të pasqyruar vizuelisht në mënyrë shumë joetike dhe të padrejtë, njoftojmë publikun se pohimet e shkruara nga autorja e shkrimit nuk përkojnë aspak me të vërtetën.

Meqë brenda shkrimit përmendet ‘keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ nga kolegët e saj, e ndjejmë të nevojshme të ofrojmë sqarim se një ‘shkelje’ këtillë e pretenduar nuk mund të ndodhë nga kolegët e të njëjtit nivel.

Mllefi i shprehur nga autorja e shkrimit lidhet me pakënaqësinë e saj që gjatë tri viteve të fundit, ishte ‘detyruar’ të merrte rrogë pa qenë fare e pranishme në vendin e punës, sepse komisioni disiplinor, i ngritur disa herë radhazi ndaj saj për mbjellje frike ndaj kolegeve, fyerje, denigrim, prishje të qetësisë në ambient pune, shantazhim, kërcënim fizik, etj., ishte treguar i mëshirshëm duke mos e larguar nga puna, siç ishte konstatuar nga ky komision sipas fakteve të mbledhura ndaj saj.

MPMS-ja dhe të apostrofuarit padrejtësisht në shkrimin e djeshëm tendencioz, do të ngrisin padi ndaj Njomza Ibishit-Zogajt për shpifje, cenim të integritetit dhe shkelje të privatësisë”, thuhet në reagim.

Ndryshe, punëtorja në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Njomza Ibishi-Zogaj, gjatë ditës së enjte kishte njoftuar se  ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ndaj shtatë zyrtarëve të kësaj ministrie.

Ibishi – Zogaj në reagimin e saj kishte thënë se kolegët e saj e kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtarë, me ç’rast i kanë shkelur të drejtat e saja themelore të punës.