Ministrit Zemaj i bie ndërmend të reagoj për turmat e mbrëmshme në Podujevë

30.11.2020 13:53:26

Gjatë së dielës në Mitrovicën e Veriut dhe në Podujevë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme, zgjedhje këto që u realizuan në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19.

Pas mbylljes së vendvotimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u tha se në dy këto komuna qytetarët u treguan të kujdesshëm dhe respektuan masat antiCOVID-19.

Mirëpo pas publikimit të rezultateve Podujeva pati festë e për çka ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj thotë se festa që u pa mbrëmë atje ishte sfiduese për Policinë e Kosovës dhe për Inspektoratin Sanitar.

Por ai thekson se festa që u bë mbrëmë nga partia fituese mbi të gjitha e pamoralshme dhe jo etike nga ata të cilët ftuan dhe grumbulluan njerëzit. Ai thotë se me këtë grumbullim, ata rrezikohen të infektohen nga COVID-19.

“Ato pamje që kemi parë në orët e pasdites kanë qenë sfiduese për Policinë Kosovës dhe kanë qenë sfiduese edhe për inspektoratin sanitar mbi të gjitha kanë qenë të pamoralshme dhe jo etike ata të cilët kanë ftuar dhe kanë grumbulluar njerëzit dhe i kanë bërë rrezik për infeksionin me COVID-19”, tha Zemaj.

Ministri Zemaj që vie nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) thotë edhe se gjatë orës së pasdites së djeshme kur edhe po mbahej procesi zgjedhor kanë bërë thirrje se çfarëdo rezultati nga kushdo duhet të jetë përgjegjës për ruajtjen e shëndetit të njerëzve.

“Edhe në orët e pasdites kemi bërë thirrje që çfarëdo rezultati nga kushdo që merr ata duhet të jenë përgjegjës për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të tyre. Nuk është vetëm fitorja por është shëndeti, është respektimi i normave demokratike dhe mbi të gjitha kujdesi mbi ta”, tha Zemaj për media.

Ndërkohë ai ka treguar edhe për inspektimet që bëri gjatë ditës së djeshme në Mitrovicë të Veriut dhe në Podujevë. Megjithëkëtë ai ka lavdëruar qytetarët për kujdesin që kanë treguar gjatë votimit duke respektuar masat antiCOVID-19.

“Dje bashkërisht edhe me grupet e Inspektoratit Santiar kam vizituar Mitrovicën e Veriut qendrat e votimit, shumë qendra të votimit në komunën e Podujevës ka pasur respektim relativisht të mirë të masave antiCovid dhe i falënderoj qytetarët që janë kujdesur për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe zbatimin e masave. Sigurisht kjo është më tepër se sa vetëdijesim dhe respektim që ta kalojmë sa më lehtë pandeminë dhe ta parandalojmë shpërndarjen e infeksionit”, tha Zemaj pas pranimit të kontingjenti të vaksinave kundër gripit sezonal.