Ministrja Bajrami mori pjesë në hapjen zyrtare dhe promovimin e fillimit të punës së shoqatës “Fermerët Kosovarë të Qumështit”

08.11.2016 21:18:48

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në hapjen zyrtare dhe promovimin e fillimit të punës së shoqatës “Fermerët Kosovarë të Qumështit” e cila numëron mbi 1500 anëtarë. Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, zv. kryeministri, Ramiz Kelmendi, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, si dhe përfaqësuesit e kësaj shoqate dhe të shoqatës së përpunuesve të qumështit. Në këtë ngjarje, znj. Bajrami shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si dhe të Qeverisë së Kosovës për të punuar në fuqizimin e sektorit të qumështit dhe produkteve të tij si dhe në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet ky sektor. Ajo theksoi që MTI dhe Qeveria e Kosovës janë vazhdimisht të angazhuar në përmirësimin e ambientit të bërit biznes në vend. Ky angazhim është vënë re edhe në veprimet e ndërrmara nga qeveria si: krijimi i Fondit për Garanci Kreditore, çertifikimi i produkteve me standarde ndërkombëtare, implemetimi i MSA-së dhe aprovimi në Kuvend i Ligjit për Investime Strategjike, Ligjit për kamatë-vonesat si dhe një varg veprimesh tjera. Ministrja Bajrami, theksoi poashtu se Qeveria është e angazhuar në mbrojtjen e produkteve vendore dhe i informoi pjesëmarrësit që në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ekzistojnë dy ligje për mbrojtjen e tregut vendor: ligji për masa anti-damping dhe masa kundër balancuese si dhe ligji për masat mbrojtëse në importe. Në përmbyllje, ministrja Bajrami përgëzoi anëtarët për krijimin e kësaj shoqate dhe premtoi që do të bashkëpunojë ngushtë dhe se do të ofrojë përkrahje institucionale për këtë shoqatë.