Ministrja Bajrami, mori pjesë në konferencën “Të Drejtat Pronësore Intelektuale”

26.04.2017 16:22:04

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në konferencën “Të Drejtat Pronësore Intelektuale” e organizuar në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale.

Në fjalën e saj, ministrja Bajrami, tha se përdorimi i pa autorizuar i markës tregtare; prodhimi, eksportimi, shitja e patentave pa licencë; falsifikimi i produkteve; pirateria dhe dukuri të ngjashme janë preokupim i shumë vendeve të botës, prandaj, është e një rëndësie të veçantë që këto dukuri negative të luftohen dhe në Kosovë.


Me tej, ministrja Bajrami tha se rëndësia e mbrojtës së pronësisë intelektuale të ndërmarrjes nuk qëndron thjesht tek roli që ajo mund të luajë në pakësimin ose rikthimin e humbjeve ekonomike që vijnë nga shkeljet e pronësisë intelektuale të saj, por para se gjithash, tek ruajtja nga shkatërrimi i tregut të ndërmarrjes, prishja e imazhit të saj dhe besueshmërisë së klientëve në emrin dhe produktet apo shërbimet e saj.
Ministrja Bajrami, shprehu përkrahjen e saj të vazhdueshme karshi forcimit të sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë përmes Agjencisë për Pronësi Industriale e cila vepron në kuadër të MTI-së . Forcimi i një sistemi të tillë është prioritet i Ministrisë dhe do të vazhdojë si i tillë deri në përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në, tha ajo.


“Ne duam të sigurohemi që përmes mbrojtjes së pronësisë intelektuale të inkurajojmë zhvillimet e reja teknologjike, nxisim inovacionin dhe shpikjet, dhe të mbrojmë reputacionin e brendeve të kompanive vendore dhe ndërkombëtare” tha ministrja Bajrami .
Bajrami, nënvizoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes API-së, Inspektoratit të Tregut, Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, është e përkushtuar që të sigurojë një ambient sa më të shëndoshë për konsumatorët e Republikës së Kosovës, dhe se do të vazhdojë inspektimi dhe kontrollimi i personave juridikë dhe fizikë që bëjnë shkelje të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.