Ministrja e Drejtësisë kërkon hetimin e kryegjykatësit të Shkodrës, Arben Zefi

18.01.2018 15:36:27

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka kërkuar hetim disiplinor për kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi.

Gjonaj e ka dërguar kërkesën e saj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe e argumenton me denoncimet e disa avokatëve të qytetit të Shkodrës ndaj kryetarit në lidhje me disa shkelje gjatë ushtrimit të detyrës.

Mësohet se nga hetimi i ndërmarrë ka rezultuar se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka shkelur ligjin, duke mos përcjellë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shkurtimin e vendimit penal të formës së prerë për dënimin e shtetasit A.D.

Ky shtetas është aktualisht kancelar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe është akuzuar për një vepër penale të parashikuar nga neni 290/1 i K.Penal.
Në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ky shtetas rezulton në mënyrë të paligjshme si i padënuar nga gjykatat penale shqiptare.

Ndërsa për kancelarin e kësaj gjykate, Ministrja e Drejtësisë i ka kërkuar Departamentit të Administratës Publike të marrë masat e parashikuara nga ligji, pas konstatimit të faktit se ka bërë deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit.