Ministrja Hoxha kërkon nga Gjermania mbështetje për t’u përfshirë në planet e zgjerimit

26.01.2018 15:42:44

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur sot në takim, zëvendës Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss, me të cilin diskutoi për procesin integrues të Republikës së Kosovës dhe kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për përfshirjen e Kosovës në Strategjinë e zgjerimit.

Ministrja Hoxha, ka vlerësuar jashtëzakonisht përkrahjen e Gjermanisë në të gjitha proceset e shtetformimit dhe shtendërtimit, duke theksuar se sot, Republika e Kosovës ka nevojë për vlerësim të angazhimit dhe përkushtimit në procesin integrues.

“Po kërkoj nga Ju, z. Ambasador që Kosova dhe qytetarët e saj, ta kenë vendin e vet në planet e zgjerimit të BE-së për Ballkanin perëndimor”, theksoi Hoxha, duke vënë në pah se rruga jonë integruese është rruga jonë e vetme, brenda vlerave evropiane.

Ministrja e ka mirëpritur rritjen e fokusit të Berlinit mbi Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë këtu strategjinë e BE-së për Zgjerim. Ministrja tha se mirëpret marrjen e udhëheqjes së Presidencës së BE-së nga Bullgaria, Austria dhe Rumania për të promovuar më shumë integrimin e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe ka shprehur vendosmërinë e Kosovës që të shfrytëzoj sa më mirë këto mundësi.

Zëvendës ambasadori i Gjermanisë ka ri-konfirmuar mbështetjen e Qeverisë së tij, si në aspektin politik ashtu edhe në atë teknik, për përpjekjet e Kosovës drejt Integrimit evropian.

Zëvendës ambasadori Voss, vuri në pah bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Integrimit, përmes projektit të asistencës teknike, i cili do të vazhdoj deri në mesin e vitit 2020. Gjithashtu, ai e vlerësoi koordinimin e ngushtë mes Ministrisë për Integrime Evropiane, Ministrisë së Financave dhe Zyrës së Kryeministrit për të siguruar një qasje strategjike koherente sa i përket masave për anëtarësimin e Kosovës.

Po ashtu, Zëvendës ambasadori Voss, e uroi Ministren Hoxha, për krijimin me sukses të platformës qeveritare të monitorimit dhe raportimit online për Integrimin evropian.