Miratohet propozimi për rritje të ndihmës sociale për 20 për qind

12.01.2018 18:03:55

Pagesa mujore për familjet në skemën e ndihmave sociale do të rritet për 20 për qind.

Një propozim-vendim i tillë është paraqitur sot nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në mbledhjen e qeverisë, ku dhe ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bazë të fushëveprimit dhe mandatit të saj, përveç kategorive tjera sociale ka për qëllim dhe objektivë mbështetjen e familjeve të varfra, përmes ofrimit të pagesës së Asistencës Sociale, për familjet që i plotësojnë kriteret sipas Ligjit Nr. 04/L-096 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë”, tha Reçica.

Reçica theksoi se përkundër lëvizjes së çmimeve të disa artikujve në kuadër të shportës së ushqimit, shuma e ndihmës sociale nuk ka pasur ngritje që nga viti 2015 dhe nuk është harmonizuar me indeksin e çmimeve.

“Duke u bazuar në hulumtime dhe analiza të lëvizjes së çmimeve dhe harmonizimit me çmimet e shportës së ushqimit, është propozuar rritja për 20% e cila mori aprovimin e kabinetit qeveritar. Ndihma e asistencës Sociale bazohet varësisht sa anëtarë ka një familje si psh. 1 anëtarë me 40 pikë x 1.50 euro, që bie se do të përfitoj 60 euro dhe maksimum familja 15 anëtarësh me 120 pikë x 1,50 euro do të përftojë 180 euro në muaj”, tha ai.

Kjo rritje do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2018.