Mirela Kumbaro nis mandatin e dytë me një takim me shkrimtarët e rinj

03.09.2017 20:25:33

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e ka nisur punën e saj të parë si minister e rikonfirmuar e Kulturës , me një takim me pesë shkrimtarët e rinj fitues të projektit të Fondit për Krijmtarinë Letrare për të Rinj.

Nën moton “më shumë mbështetje krijuesve të rinj në katër vitet e ardhshme”, Kumbaro ka biseduar me krijuesit mbi sdidat në artin e shkrimit. Ky ka qenë angazhimi i parë i Mirela Kumbaros, pas rikonfirmimit të emrit të saj ditën e djeshme nga kryeministri Rama në krye të Ministrisë së Kulturës.

Kumbaro i ka përgëzuar për pasionin e tyre ndaj letrave si dhe ka ndarë me ta faktin se këto programe mbështetëse për krijuesit e rinj do të vijojnë edhe gjatë katër viteve të ardhshme, si një shtysë e domosdoshme inkurajuese për letërsinë tonë.

“Çfarë kënaqësie sot që u njoha me 5 fituesit e Fondit për Krijimtarinë Letrare për të Rinj, Manjola Nasi, Saimir Muzhaka, Belfjore Qose, Eris Rusi, Elona Çuliq, autorë të poezisë, prozës së shkurtër e prozës së gjatë, që japin shpresë e besim se Letërsia shqipe e ka rrugën e gjatë. Ky është një program që Ministria e Kulturës do të vijojë ta mbështesë në vitet në vazhdim bashkë me të tjera programe të dedikuara për Leximin “, shkruan Ministrja në faqen e saj në Faceboook.