Mirënjohje për mësimdhënësit kosovarë dhe anëtarët e FSK-së

13.06.2018 12:35:35

Oda Zejtare e Dortmundit (OZD), në kuadër të projektit për partneritet të arsimit profesional së bashku me partnerët kosovar, shkolla profesionale “Shtjefën Gjeçovi” dhe OEK, financuar nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, organizuan ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për 11 mësimdhënës të shkollave profesionale të fushës së automekanikes si dhe për katër pjesëtarë të FSK-së.

Udhëheqësi i Projekteve të Partneritetit për Arsim Profesional  në Kosove (OZD), Franc Musolli,  u shpreh i kënaqur me nxënien e aftësive praktike të pjesëmarrësve gjatë këtij trajnimi.

Anja Becky, sekretare e parë në Ambasadën Gjermane në Kosovë, foli për rendësin e arsimit profesional në Gjermani dhe në Kosovë duke theksuar se aftësia profesionale për të rinjtë e Kosovës është plus i madh për ekonominë e Kosovës.

Ndërsa, zv.drejtori i shkollës “Shtjefën Gjeçovi”, Blerim Gervalla, theksoi se ky projekti ka rritur prestigjin e kësaj shkolle, dhe si rezultat i punës së bërë është rritur edhe numri i nxënësve në këtë shkollë.

“Tani kjo shkollë është më e pajisura në Ballkan sa i përket fushës së automekanikes, në të cilën trajnimet kanë zgjatur më shumë se gjashtë vite”, u shpreh ai.

Ky trajnim është zhvilluar në afat prej nëntë muajsh,  nga të cilat pesë tema profesionale të fushës së automekanikes janë zhvilluar në mënyrë intensive në periudhën pesë javore dhe kanë qenë të mbikëqyrura gjatë tërë kohës nga docentet gjerman.

Pjesëmarrësit e trajnimit ishin nga shkollat “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, “Mehmet Isai” në Gjilan,  “11 Marsi” në Prizren dhe “Mithat Frasheri” në Gurakoc, sikur edhe pjesëtarët e FSK-së.

Përveç te tjerëve në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues nga Bundeswehr-i gjerman, Kolonel Armin Dausch, këshilltarë logjistike pranë FSK-s, përfaqësues nga AAAPARr, mësimdhënës të shkollave pjesëmarrëse, pjesëtarë të FSK-së dhe të tjerë.

Projekti është realizuar në mjediset e shkollës “Shtjefën Gjeçovi” , repartet e automekanikës, dhe është zhvilluar nga Oda Zejtare e Dortmundit.