Misionet e BE-së në Kosovë kërkojnë të ndërprehen punimet në rrugën Deçan-Plavë

30.07.2018 19:10:09

Shefat e misioneve të BE-së përmes një deklarate për media përshëndesin marrëveshjen ndërmjet anëtarëve të Këshillit për Zbatim dhe Mbikëqyrje (KZM), që Kosova ka detyrim për t’iu përmbajtur legjislacionit për Zona të Veçanta të Mbrojtura dhe zotimeve të saja ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore, si dhe të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve të saj.

Deklarata e shefave të misioneve të BE-së në Kosovë vjen pas vizitës së tyre në Zonën e veçantë të mbrojtur në Deçan, më 26 qershor 2018.

“Përderisa BE-ja e kupton vlerën e rrugëve që lidhin komunitetet, duhet të respektohen procedurat e aplikueshme. Para fillimit të çfarëdo veprimtarie që prek Zona të Veçanta të Mbrojtura duhet të konsultohet Këshilli për Zbatim dhe Mbikëqyrje (KZM) dhe të respektohen vendimet e tij në tërësi, në interes të ruajtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore dhe për të mbështetur sundimin e ligjit në pajtim me zotimet ndërkombëtare të Kosovës”, thuhet në kumtesë.

“BE-ja rikujton zotimin e mëhershëm të Kosovës për të mos filluar punimet në rrugë përderisa nuk bëhet planifikim dhe financim i plotë i rrugës anësore, si dhe apelon për respektimin e këtij zotimi”, thuhet në deklaratë.