Mjedra të plasohet edhe në tregun ndërkombëtar

12.08.2016 19:37:50

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka zhvilluar sot takime me Kryetarin e Shoqatës së Kultivuesve të Mjedrës, Sami Uka, si dhe ka komunikuar me përfaqësues të pikave grumbulluese të mjedrës, me të cilët ka diskutuar për gjendjen aktuale në lidhje me prodhimin dhe shitjen e kësaj kulture bujqësore.

Në takime u konstatua se këtë vit përveç shtimit të madh të sipërfaqeve me mjedër, ka edhe rritje të dukshme të rendimentit mesatar, por në anën tjetër ka rënie të çmimit të shitjes krahasuar me vitin e kaluar, si pasojë e rënies së çmimit edhe në tregjet evropiane, për shkak të rritjes së sasisë së prodhimit në disa shtete.

Ministri Krasniqi shprehi qëndrimin e tij në mbështetje të fermerëve, duke kërkuar që pikat grumbulluese të respektojnë çmimet reale të tregut dhe para së gjithash të mundësojnë pranimin e prodhimit të mjedrës nga kultivuesit me kohë. Po ashtu, u diskutua që bashkërisht me Shoqatën e Kultivuesve të Mjedrës  dhe pikat grumbulluese të shqyrtohen mundësitë për të mbështetur plasimin efikas të mjedrës vendore në tregun evropian, para së gjithash duke gjetur mundësi për të lehtësuar grumbullimin në kohën optimale.

Ministri u zotua se në vazhdimësi ministria do të përcjellë situatën, në bashkëpunim me përfaqësuesit e fermerëve dhe palët e tjera të interesit.