MKRS-ja themeloi çmimin “Muslim Mulliqi” në fushën e artit pamor

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar sot Rregulloren për dhënien e Çmimit për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor. Përmes këtij akti normativ themelohet çmimi i cili e bart emrin piktorit dhe pedagogut të pikturës Muslim Mulliqi.

Kjo dispozitë ligjore përcakton kriteret dhe procedurat për dhënien e këtij çmimi për vepër jetësore dhe çmimit vjetor për krijimtarinë në fushën e artit pamor. Rregullorja përcakton se çmimi “Muslim Mulliqi” ndahet për personalitete të shquara në këtë fushë, për të arriturat profesionale dhe për ngritjen e vlerave e për kontributin e veçantë në avancimin e artit pamor. Ndërsa, çmimi vjetor jepet për këto gjini: pikturë, skulpturë, grafikë, qeramikë, vizatim, dizajn grafik, fotografi artistike, video-art dhe art konceptual dhe për performancë.

Çmimi për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” shpërblehet me vlerë financiare prej pesë mijë euro, ndërkaq çmimi vjetor me vlerë prej tre mijë euro.

Konkurrimi për Çmimin “Muslim Mulliqi” dhe çmimin vjetor bëhet përmes propozimeve nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Galeria Kombëtare e Kosovës si dhe galeritë tjera profesionale, Fakultetet e Arteve publike dhe private, të Republikës së Kosovës dhe nga Asociacionet (shoqatat) profesionale të krijuesve të artit pamor.

Ceremonia e dhënies së çmimeve është përcaktuar me rregullore dhe organizohet çdo vit më 1 qershor.

Rregulloren mund ta shkarkoni në: http://mkrs-ks.org/repository/docs/Rregullore_per_dhenien_e_cmimit_kombetar_Muslim_Mulliqi.pdf