Modeli i liderit (“babës”) karizmatik nuk (zh)bëhet, ai mirëmbahet

21.12.2017 16:02:25

Nga Fadil Maloku

1. Pothuajse në të gjitha vendet e transicionit ka ndodhur një proces, apo një lloj katarsisi kur është fjala tek: rirreshtimet brenda partiake dhe ngritja e përgjegjësisë publike nga ana e subjekteve apo aktorëve dominues politikë të cilët me fuqinë e votës bëjnë projeksione kombëtare dhe sosh shtetërore. Që nënkupton zhvillime të atilla emancipuese për të krijuar masën kritike për përgjegjësit dhe nevojat si standarde të shoqërive bashkëkohore demokratike.Historia e gjertanishme e këtyre shoqërive ka dëshmuar gjithashtu se procesi i rirreshtimit duhet të ndodhë në disa plane, në mënyrë që të arrihet standardi i sigurisë dhe i përgjegjësisë së institucioneve dhe gjithë inxhinieringut social (zbutja e papunësisë në gangrenë që edhe sot po i përcjellë këto vende) e sidomos atij kulturorë (ndryshimi gradual dhe në koherencë me nevojat dhe apetitet e grupeve të ndryshme të interesit), në mënyrë që të funksionoje sa më mirë demokracia dhe shteti. Ky proces duhet të ndodhë në sferën ideologjike, atë programore, juridike, sociale dhe sidomos atë kulturore.
2. Ndryshe, nëse nuk ndodhin ndryshime në sferat e mësipërme atëherë në shoqëri dhe sidomos në institucionet bartëse të proceseve dhe zhvillimeve shoqërore mund t’i ekspozohen të ashtuquajturit fenomen të atrofisë apo mbylljes sociale që nënkupton maksimalizimin e avantazheve të grupeve të ndryshme të interesit, ashtu siç është duke ndodhur aktualisht në Kosovën e pasluftës. Ku grupe të ndryshme (kryesisht të interesit dhe bizneseve të amalguara me ato të politikës) bëjnë plane dhe projekte të tëra për të ruajtur statuset dhe privilegjet e tyre të fituara në mënyrë (jo)meritore. Kjo mbyllje sociale apo e cilësuar ndryshe edhe si një lloj hermetizmi social mund të përkufizohet si një gjendje apo status quo përmes të cilit grupet e ndryshme. bëjnë përpjekje jo vetëm të ruajnë siç thamë kontrollin mbi resurset dhe begatitë njerëzore, por edhe të ushtrojnë ndikimin e tyre monopolist.
3. Një cilësim kujtojë që i mungon çështjes së dinamikës së kategorizimit kur janë në pyetje kriteret, pyetja, apo edhe çështja e identifikimit të partive kosovare, mund të merret ai i konsekuencave apo karakterit të raportit të brendshëm partiak, e që ka të bëjë me hierarkinë apo subordinimin e njerëzve kyç brenda një subjekti të caktuar politik. Sëmundje kjo e “fruthit“, nëpër të cilin kanë kaluar: LDK-ja, më shumë, PDK-ja më pak, AAK-ja hiç! Kurse, tani Vetëvendosja, është në këtë rrugë. Që të gjitha këto subjekte, pretendojnë ose joshen të binden se janë ideatorët, arkitektët apo edhe vetë “baballarët” e këtyre partive politike.
4. Sipas këtij kriteri liderët made in Albanicus, në partitë politike shqiptare sensin apo prirjen për t’i nënshtruar në mënyrë autoritare dhe me fuqinë e karizmës gjithë mëkëmbësit tjerë, e shfrytëzojnë si një guide të qartë, por asnjëherë të pathënë, as në prezencë e as në mungesë të mëkëmbësve të tyre! Një tjetër çështje e shndërruar në rutinë sociale tashmë, është edhe ajo e portretit të autoritetit të liderit. Që kur të analizohet me dioptrinë sociologjike, këto personalitete në mungesë të instalimit të sistemit funksional në brendësinë e organizatave të tyre, na dalin me një portret tipik karizmatik, që i karakterizon sidomos shoqëritë e vonuara. Këto autoritete, çështjen dhe motivet e mosrealizimit të copëzave identitare i shfrytëzojnë dhe e përdorin jashtëzakonisht në mënyrë mjeshtërore, jo vetëm për të ushtruar trysninë e tyre mbi pjesëtarët tjerë partiak, por, dhe për të sjellë edhe vendime kontradiktore dhe herë herë edhe në kundërshti me vetë programet dhe orientimet e proklamuara ideologjike….
5. Çdo parti politike e ka hierarkinë e vet, pra shkallaren ose piramidën e vet organizuese ku anëtarët e partive zgjedhën e sistemohen sipas kritereve, shijeve dhe sidomos interesave e shërbimeve që ata i kryejnë liderit partiak, apo vetë partisë në faza të ndryshme të emancipimit politikë. Pozita në shkallaren partiake në një mënyrë përcakton edhe statusin e anëtarit në atë parti, i cili jo domosdoshmërish mund të jetë edhe i komunitetit të biznesit, atij intelektual, rural, urban, pra edhe njeriut të thjesht, i cili sjellë fuqi politike përmes (karizmës)votës së tij. Sistemet e shtresëzimit partiak dallojnë sipas asaj se sa u lejohet të lëvizin nga një status apo pozitë më të ulët partiake në një pozitë më të lartë, në hierarkinë apo piramidën politike.
6. Gjatë këtij procedimi, zakonisht rebelimi eventual partiak, individët dhe grupet, apo edhe fraksionet brenda një subjekti politik, i katapulton edhe kah një rebelim politik. Por, çka është rebelimi partiak? Do thënë që ky koncept aludon kryesisht në një lloj gjendjeje të ankoruar sociale, dhe që ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e një lloj norme ekzistuese politike që zakonisht normohet në sistemet fillestare partiake, që për imperativ e kanë: dallimin e qartë nga subjektet dhe organizatat tjera politike; idenë për ta përmbysur sistemin ekzistues të vlerave të komprometuarash; dhe instalimin e sistemit të ri vlerorë. Ideja e “rebelimit partiak”, shpeshherë ngatërrohet me konceptin e rebelimit politik, që ka një kuptim tjetërfare (të kryengritjes, revolucionit, pra të një ndërrimi rrënjësor të raporteve shoqërore?!) dhe që në shumë raste në historitë e popujve të ndryshëm u ka prij ndryshimeve sociale dhe atyre ekonomike.
7. Në rastin e Kosovës, ne kemi identifikuar Lëvizjen studentore të viteve -80-ta dha ato -90-ta së bashku me lëvizjen joviolente të identifikuar me Ibrahim Rugovën, kurse në botë: rebelimin në Tien an Men (Kinë), lëvizjen e hipikëve, lëvizjen në Çekosllovaki, pasta atë në Gjeorgji, kurse sot lëvizjen OccupyWallStreet, Occupy Okllahoma, etj. Kriteret apo masa e argumentit për të krijuar pretekstin e fortë e në fund edhe për të mposhtur sistemin e vjetër vlerorë ishin kryesisht të natyrës: sociale, kombëtare, kolonialiste, etj., pra një gamë e tërë argumentesh dhe pretekstesh socio-politike e ekonomike që dosido në faza të ndryshme emancipuese në shoqëri të ndryshme, sjellë pasoja dhe reperkusione të ndryshme.Bartës të këtyre proceseve padyshim që janë partitë politike që nuk kanë instalua akoma elementet ideologjike, e që ende shërbehen me flokulat dhe ikonografinë kombëtare. Duket që ato ende nuk e kanë të qartë as vizionin e “ecarakes” horizontale e as të asajna horizontale?!