Mogherini deklarohet para vizitës në Ballkanin Perëndimor se kërkon bashkpunim rajonal dhe fqinjësi të mirë

01.03.2017 13:15:55

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini është deklaruara para vizitës që do të iu bëjë vendeve të Ballknait Perëndimor.

“Po punoj që ta shoh secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor të ecë në rrugën e reformave drejt Bashkimit Evropian, e për t’u siguruar që procesi është i pakthyeshëm”, deklaroi Mogherini përpara nisjes së turit të saj në Shqipëri, Kosovë, Bosnje, Mal të Zi, Serbi e Maqedoni.

“Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten të një rëndësie kyçe në këtë kontekst”, shtoi shefja e diplomacisë evropiane. Përfaqësuesja e lartë e çështjeve të Jashtme dhe politikave të Sigurisë në BE e nis valën e vizitave në Podgoricë, ku do t’i drejtohet Parlamentit gjatë një seance të posaçme.

Turi mbyllet më 4 mars me ndalesën në Tiranë. Vizita e kryediplomates evropiane vjen në mesin e protestave të rrugës të organizuara nga Partia Demokratike dhe të reformës së rëndësishme në drejtësi, që blloku evropian kërkon ta shohë të përfunduar.

Një situatë e ngjashme, ndonëse në kontekst krejt tjetër, e pret edhe në Maqedoni, ku mbështetës të partisë në pushtet VMRO-DPMNE kanë dalë në rrugë kundër krijimit të një koalicioni qeverisës të LSDM-së me partitë shqiptare.

Agjenda e ndalesës në Serbi ende nuk është bërë publike, por me shumë gjasë do të përfshijë diskutime mbi të ardhmen e dialogut Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja. I gjithë rrugëtimi i Mogherinit, në fakt ndërmerret në një kohë tensionesh etnike dhe politike, që kërcënojnë – sipas ekspertëve, – minimin e proceseve integruese të rajonit, ndaj dhe vizita e saj duket se synon pikërisht qetësimin e tyre.