Mogherini dhe Rama tregojnë përkushtim të dyanshëm për reformën

08.09.2016 13:07:54

Në Bruksel është zhvilluar takimi i tetë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë. Vendi ynë është përfaqësuar në këtë takim  nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka patur takime me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini dhe komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Në përfundim të takimit, në një konferencë të përbashkët për shtyp, zonja Mogherini ka shprehur besimin se reforma në drejtësi do të japë efekte pozitive.

“Besojmë se reforma në drejtësi do të ndikojë në marrëdhëniet tona ekonomike”, ka thënë Përfaqësuesja e Lartë e BE, e cila i ka bërë një apel klasës politike shqiptare.

“Palët politike kanë përgjegjësi për të vënë në zbatim reformën. Ne do mbështesim Shqipërinë në këtë proces”, ka thënë Mogherini, e cila e ka cilësuar si “të shkëlqyer” takimin me kryeministrin Rama.

Nga ana e tij, shefi i qeverisë shqiptare ka vlerësuar se, takimi i sotëm konfirmoi angazhimin e dyanshëm për të çuar përpara projektin e reformës në drejtësi.

“Vlerësoj shumë kontributin tuaj të rëndësishëm. Prania ime këtu konfirmon përkushtimin dypalësh për të vazhduar përpara dhe për të bashkëpunuar sa më ngushtë për reformën madhore”, ka deklaruar Rama.

Ai ka shprehur besimin e tij se, implementimi i vazhdueshëm i reformave kyçe do të forcojë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.

“Miratimi i ligjit të vetting-ut është një hap i rëndësishëm për implementimin e reformës në drejtësi”, ka vijuar Rama. 

 

Ai ka shtuar se, është me rëndësi që BE të japë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave dhe ka dhënë garancinë e tij se, Shqipëria do të jetë në lartësinë e duhur.

 

Ndër të tjera gjatë konferencës për shtyp, Mogherini dhe Hahn vlerësuan se një “problem i madh” për Shqipërinë mbetet lufta kundër drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit.