Mohammed 16 muajsh vdes në ujëra gjatë përndjekjeve barbare

06.01.2017 12:40:55

Me fytyrë në baltë, i palëvizur, ndërsa është nxjerrë nga ujërat e lumit, me rroba të shqyera. Faji i tij i vetëm, 16 muajsh, është se i përket minorancës myslimane Rohingya, e persekutuar në Mianmar (ish-Birmania) dhe i detyruar të largohet nga Bangladeshi përmes lumit Naf, që ndan dy vendet.

Për të pritur të arratisurit mbrëmjen e 4 dhjetorit kanë qenë rojet kufitare të Birmanisë, që kanë hapur zjarr, duke përmbysur varkën me njerëz të pafajshëm. Të gjithë të mbytur, përfshirë gra, të sapolindur dhe fëmijë. Dhe fotoja e Mohammed Shohayet, ky është emri i viktimës së vogël, i fotografuar një muaj pas tragjedisë nga CNN dhe mediat lokale, risjell në kujtesë dramën e kurdit të vogël Aylan, i gjetur i pajetë në plazhin turk të Bodrumit në shtator 2015, ndërsa përpiqej të mbërrinte në Europë, duke i shpëtuar luftës në Siri.

Fotoja simbol e tragjedisë që po përjeton në veri të Mianmarit minoranca etnike e Rohingya-s, me besim mysliman, është një gjenocid për komunitetin ndërkombëtar.

Në foton tragjike, Mohammed është gjetur mes baltës i pajetë, duke u bërë kështu dëshmitar i dramës së emigrimit dhe të persekutimit ndaj popullit të tij.

Së bashku me të, të nesërmen, është gjetur nga peshkatarët edhe trupi i pajetë i të vëllait më të vogël, të mamasë dhe njërit prej familjarëve. Deri tani janë gjetur 15 trupa të pajetë, por dyshohet se ka edhe të zhdukur. Duhej të ishin 35 sipas disa dëshmitarëve, personat e arratisur drejt Bangaldeshit në bordin e tre varkave, të ardhura nga fshati  YeDwinChaung, në rajonin e Maungdaw-s, në shtetin e Rakhines.

Në këtë zonë, është zhvilluar edhe një ofensivë ushtarake, e cilësuar nga autoritetet si “operacioni i rehabilitimit”: deri tani shënohen 250 viktima dhe qindra të humbur në lumin Naf.

Komuniteti Rohingya janë rreth 1 milion: jetojnë në Mianmar prej dekadash, por konsiderohen nga qeveria si klandestinë.