Molliqaj: PSD do ta përcaktojë fituesin dhe qeverinë e ardhshme

07.08.2019 20:53:02

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se kjo parti do të jetë subjekt përcaktues në qeverinë e ardhshme.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se PSD-ja do të jetë subjekti përcaktues në qeverinë e ardhshme.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Molliqaj ka shkruar se PSD-ja ta përcaktojë fituesin dhe qeverinë e ardhshme dhe se sipas tij, ky subjekt politik po ashtu do ta përcaktojë edhe diskursin politik të së ardhmes në Kosovë, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë i Molliqajt pa ndërhyrje:

PSD DO TË JETË SUBJEKTI PËRCAKTUES

Në dy vitet e fundit, PSD ka qenë subjekti më i sulmuar nga pushteti dhe opozita. Njësoj po vazhdon të jetë edhe para zgjedhjeve.

Për mua është e qartë arsyeja se pse po na sulmojnë:

– PSD ka qenë subjekti përcaktues në të gjitha proceset politike të 2 viteve të fundit.

– PSD si fuqi e dijes dhe e votës do ta përcaktojë fituesin dhe qeverinë e ardhshme.

Por mbi të gjitha, PSD do ta përcaktojë diskursin politik të së ardhmes në Kosovë

Asnjë sulm e shpifje nuk mund ta ndal PSD-në në përcaktimin e saj politik, që bazohet në bindjet tona socialdemokrate dhe anti-populliste.

Koha do të kalojë shpejt, dhe shpejt gjithçka do të shihet 🙂 .