Molliqaj: Shpend Ahmetit në dialog i duhen këshilltarë tjerë, nuk mund t’i konsultojë ata që i ka për Prishtinën (Video)

04.04.2019 22:13:25

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se angazhimi i këshilltarëve në ndërmarrjet publike dallon nga angazhimi në një proces të caktuar siç është dialogu me Serbinë.

Molliqaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se një këshilltarë në Komunën e Prishtinës që mund të jetë njohës i mirë u urbanizmit nuk mund ta këshillojë Shpend Ahmetin si drejtues i delegacionit në Bruksel.

“Ndërsa një shofer në Komunën e Prishtinës që është shofer i Shpend Ahmetit mundet ta vozisë atë edhe si drejtues i delegacionit. Për këtë arsye Shpendi ka vetëm një shofer e jo dy. Na është dashur të marrim këshilltarë që janë njohës të fushave”, tha ai.

Deputeti i PSD-së ka thënë se në gjithë botën personat e zgjedhur në poste politike, stafin e tij të ngushtë i përzgjedh pa konkurs.

“Asistentin, shoferin dhe këshilltarin nuk mundet me t’i përzgjedh dikush tjetër, sepse logjika është se ti e zgjedh atë me të cilin mund të bashkëpunosh…Pra këshilltarët emërohen, nuk futen në konkurs”, tha ndër të tjera Dardan Molliqaj.