Monika Kryemadhi fton shqiptaret në protestën e të shtunës: Rama do rrëzohet. S’ka zot që e shpëton

22.05.2018 17:25:27

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u bëri edhe një herë thirrje shqiptarëve të bashkohen me protestën e opozitës të shtunën,  më 26 maj. Deklarata e Kryemadhit u bë nga selia e LSI pas takimi që ajo zhvilloi me kryetarët e LSI në rrethe.

“Ditën e shtunë në orën 11:00 do të protestojmë ndaj kësaj qeverie Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që mendojnë se kjo qeveri po varfëron vendin, që të bashkohen në protestën e së shtunës, intelektualëve, të rinjve që besojnë te një Shqipëri e denjë. Opozita nuk e largon Shqipërinë nga Europa. Por Edi Rama nuk do që kjo gjë të ndodhi”, tha Kryemadhi.

Sipas Kryemadhit,  LSI tha se nuk do të ketë asnjë kompromis me një qeveri të zhytur në trafik dhe korrupsion, ndërsa theksoi se pas kaq shumë skandalesh asgjë nuk do të mund ta shpëtojë qeverinë e Ramës, as prokurorët që sipas saj i lëpihen për të kaluar vettingun dhe as zoti vetë.

“E shtuna është dita jonë për t’i treguar Edi Ramës, që asgjë nuk e ndal më popullin nga revolta e tij. Edi Rama nuk është Zot as i drejtësisë dhe as i Shqiptarëve. Nëse Rama do të vazhdojë të kërcënojë shqiptarët me bandat e drogës, fundi i tij do të jetë e shpejt dhe i tmerrshëm. I bëj thirrje të gjithë votuesve të LSI, të ngrihemi dhe ta rrëzojmë Edi Ramën. Nuk ka as njeri dhe as zot që mbron Edi Ramën”, tha Kryemadhi.