Monika Kryemadhi: Lekët e dogës blenë edhe shoqërinë civile

15.12.2017 18:08:04

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi denoncoi një vendim të marrë dje nga Kuvendi thuajse në mënyrë të fshehtë për financimin e disa shoqatave të shoqërisë civile. Bëhet fjalë për të njëjtat shoqatat që kanë në dorë ngritjen e institucioneve të reformës në drejtësi.

Në një koment në Facebook, kryetarja e LSI-së thotë se me paratë e drogës po blihet edhe shoqëria civile në Shqipërisë. “Dje kryetrafikanti që drejton qeverinë bleu me një ligj të posaçëm shoqërinë civile. Miliona euro do t’i dhurohen shoqërisë civile që ajo, sipas planit të hartuar nga Edi Rama, të ofrojë ndihmë juridike për nenin famëkeq 15 të ligjit për “Ndihmën Juridike të Ofruar nga Shteti”,- shprehet Monika Kryemadhi.

Postimi i plotë i kryetares së LSI-së:

“LEKËT E DROGËS BLEJNË PËRFUNDIMISHT ME LIGJ SHOQËRINË CIVILE!

Dje kryetrafikanti që drejton qeverinë bleu me një ligj të posaçëm shoqërinë civile.

Miliona euro do t’i dhurohen shoqërisë civile që ajo, sipas planit të hartuar nga Edi Rama, të ofrojë ndihmë juridike për nenin famëkeq 15 të ligjit për “Ndihmën Juridike të Ofruar nga Shteti”.

Ky nen që nuk u propozua nga ekspertët, por u përfshi dhe u miratua dhunshëm nga Edi Rama, me qëllim blerjen si shpërblim ndaj shoqërisë civile, për kryerjen me “sukses” të misionit të bllokimit të reformës në drejtësi.

Neni i sponsorizuar nga Edi Rama synon qartas bllokimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe për rrjedhojë të SPAKUT dhe të Byrosë së Hetimit.

Me këtë akt kryetrafikanti i qeverisë, jo vetëm vjedh në mënyrë të turpshme paratë e shqiptarëve, por i shton pushtetit të tij edhe për pak ditë agoninë.

Edi Rama dhe mentorët e tij të inkriminuar duhet ta kenë të qartë se asnjë manovër e ulët në bashkëpunim me segmente të shoqërisë civile nuk mund ta zgjasë asnjë orë më shumë fundin e parashkruar të një qeverie që erdhi në pushtet dhe ende mbahet në këmbë nga paratë e trafikut të drogës.

Çdo përpjekje agonike është thjesht një akt i pavlerë për t’i shpëtuar drejtësisë dhe përballjes me të vërtetën e hidhur të inkriminimit në çdo segment të qeverisë Rama”.