Monika Kryemadhi në Fier: Qeveria u tall me naftëtarët, bashkohuni në protestë

21.01.2018 15:44:01

Protesta e 27 janarit ka bërë që krerët e opozitës të dalin në terren për të mobilizuar mbështetësit e tyre për një tubim sa më të madh.

Në kuadër të këtyre takimeve, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u ndal sot në Fier, ku e përqendroi vëmendjen tek naftëtarët dhe taksa e biznesit të vogël.

Kryemadhi e cilësoi uljen e pragut të TVSH-së, që prek tashmë biznesin e vogël, si një ‘gjobë’ të re të qeverisë për këtë grup të shoqërisë.

“Disa muaj pas vendosjes së TVSH-së për biznesin e vogël do të lindë problemi i mbledhjes së kësaj takse. Tatimet nuk do të mund të e mbledhin dot dhe këtu do hyjë në lojë plani i vërtetë i Ramës. Do të japë me koncesion mbledhjen e TVSH-së. Kjo është një skemë përfitimi e pastër e familjarëve të Edi Ramës’, tha Kryemadhi.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, kryetarja e LSI tha se qytetarët shqiptarë duhet të protestojnë kundër jetesës së vështirë me të cilët përballen sot.

“Protesta e janarit ka rëndësi pasi ka për qëllim të vetëm angazhimin e çdo qytetari për të protestuar, dhe për të ngritur flamurin e shpresës ndaj këtij realiteti të hidhur ku jetojmë sot. Kjo nuk do të jetë një protestë për flamujt partiakë”, deklaroi ajo.

Kryetarja e LSI u ndal tek naftëtarët e Fierit dhe Ballshit, duke thënë se ata kanë arsyen më të fortë për t’iu bashkuar protestës, pasi “mënyra si qeveria është tallur me ta ka qenë abuzuese dhe diskriminuese”.

“Më shumë se naftëtarët e Fierit për të protestuar më datë 2 7 janar, nuk ka, duke patur parasysh mashtrimi që i është bërë prej një viti duke i thënë se do merrni pagat e prapambetura. Por jo vetëm pagat, por as sigurimet nuk i janë paguar”, u shpreh Kryemadhi.