Monumenti i qytetërimit botëror digjet nga flakët e barbarisë njerëzore

15.04.2019 23:06:50

Nga Rexhep Kastrati

Një ndër monumentet më të rëndësishme botërore, që ishte një mrekulli arkitektonike, por, që, sa ishte një nga qendrat më të mëdha krishtere, aq ishte edhe një nga argumentet më të shquara për fuqinë e mendjes dhe të shpirtit njerëzor që kishte bërë bashkë hyjnoren dhe shkathësinë fizike dhe intuitën artistike të artit gotik, pra Notre dame de Paris, u përfshi nga flakët dhe nuk do të jetë më me atë lashtësinë e saj tetëshekullore.

E nisur më 1163 dhe e përfunduar tërësisht më 1345, Notre dame de Paris, ka pasur një rëndësi të madhe për krishterimin, që në periudha të caktuara historike ka pasur ngirtjet dhe rëniet e tij, që është ballafaquar me faza të errëta të skolastikës dhe të dogmatizmit të ashpër, që ka vazhduar me shekuj të sundojë emocionin, racionin dhe rezonin, sikurse edhe të gjitha nivelet estetike të përjetimit të realiteteve dhe të ndërtimit të marrëdhënieve me transcedentalen, eteriken, ezoteriken dhe në përgjithësi me hyjnoren, që ka pasur edhe rreziqet nga shkatërrimet e ndryshme, sdimos në kohën e Napoleon Bonapartës, në shekullin e XVIII.

Si vepër akritektonike gotike, me të gjitha veçantitë e saj, me gjithë strukurën e saj organike si të brendshme, edhe të jashtme, si strukurën horizontale, ashtu edhe atë vertikale, Notre dame de Paris, ka qenë e veçantë, unike dhe drithëruese, dhe ka kaluar përmasat kohore dhe hapësinore të kohës dhe të vendit kur dhe ku është ndërtuar, si dhe ka tejkaluar përmasat e një monumenti fetar, dhe si e tillë ka qenë një pasuri e të gjithë njerëzimit dhe e qytetërimit botëror.

Ka mrekulluar njerëzit e zakonshëm, qytetatarët që e kanë parë në të rrallë, por edhe ata që e kanë parë çdo ditë, sepse sa herë që e ke parë, ke zbuluar një mrekulli të re estetike, ke zbuluar një përjetim të ri estetik.

Shkrimtari i njohur botëror, Viktor Hygo, do ta përjetësojë edhe në vepër letrare, kur më 1831 do të botojë romanin historik “Katedralja e Parisit”, që ka arritur ta ndërtojë një ndjesi të veçantë duke bashkëdyzuar sakralitetin e saj me profanizmin njerëzor, për të shndërruar këtë katedrale në një mrekulli letrare që do të shquhet me një lidhje kryetipore të dy personazheve: Esmeraldës dhe Kuazimodos, si unifikim i dy të kundërtave estetike: të bukurës dhe të shëmtuarës, për të krijuar një tërësi simbolike të tipit jin/jang.

Viktor Hygo të shkonte të gjente në shkrumbin e saj Esmeraldën, Kuazimodon dhe personazhet tjerë të romanit të tij, por tash ata i kanë mbetur vetëm në veprën e tij, e vetmja skutë ku mund të vazhdojnë të jetojnë.

Qytetarët do të mund të shkojnë të gjejnë dromcat e kujtimeve të tyre, të emocioneve të tyre, të historive të tyre, dhe do të përpiqen të mbajnë në shpirt ato kujtime si një grishje ndërgjegjeje dhe përjtimi të përjetshëm.

Katedralja Notre dame de Paris, do të mund të rikonstruktohet dhe do të mund të jetë sërish funksionale, por asnjëherë nuk do ta ketë atë lashtësinë, tisin e kohës dhe të tejkohës që ka pasur deri më tash, prandaj çmenduria njerëzore e tipit neronian që ia ka vënë flakën këtij monumenti të  qytetërimit do të ketë qenë një nga armiqtë e harmonisë njerëzore, një nga armiqtë e artit botëror.