Mori telefonatë për bombë në makinë, gjyqtari nën hetim për lirimin nga burgu të një vrasësi (EMRI)

15.10.2019 18:52:40

Markelian Kuqo është gjyqtari i gjykatës së Korçës që mori sot një telefonatë, ku i thoshin se i kanë vendosur bombë në mjetin e tij, por që pas kontrollit policor, në mjetin e tij nuk u gjet asgjë e dyshimtë. Emri i këtij gjyqtari u lakua disa kohë më parë për shkak të një vendimi për lirimin nga burgu të atij që cilësohet si vrasesi i “të fortit” të Tiranës, Gerd Gjinarari, apo i njohur ndryshe si Gerd Gjenerali.

Kjo solli edhe reagimin e ministres së Drejtësisë e cila e kallëzoi penalisht gjyqtarin e tani është në hetim. Atë kohë, ministrja në një konferencë për mediat thoshte:

“Ministria e Drejtësisë, u njoftua nga strukturat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale lidhur me vendimin gjyqësor të rrethit gjyqësor, Korçë, për lirimin me kusht të shtetasit Gert Gjinari, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Nga hetimi paraprak që Ministria e Drejtësisë kreu, rezulton se vendimi pavarësisht se nuk është ende vendim i formës së prerë është konstatuar se është dhënë në kundërshtim me kriteret ligjore dhe kërkesat e Kodit Penal për dhënien e një vendimi lirimi me kusht të një të dënuari me burgim të përjetshëm Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit, duke kërkuar inicimin e procedimit disiplinor për gjyqtarin Markelian Kuqo.

Procesi i vetingut për pastrimin nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar po vijon, por paralelisht për të gjitha rastet me vendimmarrje skandaloze nga gjyqësori do të denoncohen dhe do të ndiqen të gjitha mjetet ligjore për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e këtyre rasteve.

Ministria e Drejtësisë me strukturat e brendshme të kontrollit të burgjeve dhe vetë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka kryer inspektim lidhur me këtë ngjarje nga administrata e burgut të Drenovës për sa i përket dokumenteve të dorëzuara në proces gjyqësor për çështjen e lirimit të të dënuarit Gjinari.

Bazuar në gjetjet e konstatuara, është proceduar me referimin e materialit pranë Prokurorisë së Korçës për Drejtorin e burgut Drenovë, Korçë, 1 përgjegjës sektori, 2 specialistë, për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”, lidhur me përgatitjen e raportit të vlerësimit të të dënuarit, Gerd Gjenerali. Gjithashtu, deri në zbardhjen e ngjarjes, Drejtori dhe punonjësit e evidentuar të sipërpërmendur janë pezulluar nga detyra”.