Mos i falni, ambasador Delawie! Kriminelët me lidhje politike e dinë se çka po bëjnë!

12.04.2017 10:18:21

Nga Rexhep Kastrati

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie është zhgënjyer sërish, pas shumë herave të tjera, gjithnjë nga papërgjegjshmëria e atyre që kanë zgjedhë strategjinë e pamundësimit të miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës.

Zhgënjimi i ambasadorit Delawie lidhur me mungesën e kuorumit për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, ishte shumë i qartë dhe i shprehur në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë “I zhgënjyer me liderët e Kosovës që nuk grumbulluan votat për të mbyllur boshllëqet që lejojnë kriminelët me lidhje politike të sigurojnë leje për të dalë nga burgu”.

Pra zhgënjimi i tij është konkret dhe për një çështje konkrete “për të mbyllur boshllëqet që lejojnë kirminelët me lidhje politike të sigurojnë leje për të dalë nga burgu”, e që ka të bëjë pikërisht me të fortët e Kosovës që u përkasin linjës së Tiranës/Kretës dhe të tjerëve me staturë kriminale.

Gjatë këtyre viteve ka pasur shumë raste kur “kriminelë me lidhje politike” kanë marrë leje të ndryshme, ose edhe janë paraqitur si të sëmurë dhe kanë kërkuar trajtim hospitalor, por ndërkohë janë parë në qytete të ndryshme në dreka e darka të ndryshme.

Po ashtu ka pasur dyshime se të njëjtit, kanë shfrytëzuar të drejtën për leje, për të bërë trysni, shantazhe dhe kërcënime të ndryshme ndaj dëshmitarëve të ndryshëm.

Krahas kësaj, ka pasur edhe amendamente të propozuara në këtë projektligj që të shkurtohet në mënyrë arbitrare, siç e pat thënë ambsadori Delawie në një tryezë të organizuar në fund të marsit, 1/3 e dënimeve, ndaj të cilave Ambasada amerikane dhe ambasadori Delawie patën shprehur hapur qëndrime të kundërta me to.

Mosmbledhja e votave, siç shprehet ambasadori Delawie, prandaj është veprim i qëllimshëm i drejtuesve të partive opozitare, por edhe i PDK-së, pikërisht se pjesëtarë të ndryshëm të tyre kanë lidhje të forta politike me këto parti, duke ndikuar kështu që të mos miratohet ky Projektligj shumë i rëndësishëm për fuqizimin e shtetit ligjor dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Së këndejmi, edhe pse e patheksuar me emra të përveçëm, zhgënjimi i ambasadorit Delawie u është drejtuar drejtuesve të këtyre partive, të cilat janë të pafuqishme, nuk duan dhe nuk mund të vendosin sanksione të tilla ligjore kundër shokëve apo ish-shokëve të tyre.

Në kontekst të zhvillimeve socio-politike, mosmbëedhja e votave për miratimin e këtij prjojektligji, duhet parë edhe si një test në prag të funskionalizimit të Gjykatës speciale, si dhe një mesazh që u drejtohet qytetarëve të vendit, aleatëve tanë strategjikë dhe gjithë botës demokratike, se drejtuesit e partive të tilla, do të bëjnë gjithçka për të penguar ballafaqimin me realitetin: futjen e shokëve apo ish-shokëve të tyre në burg.

Në këtë mënyrë, me mosmiratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, drejtuesit e parive politike: PDK, AAK, Nisma dhe sekta okulte e Albinit dëshmuan edhe një herë se në thelb të angazhimeve kundërshtetërore nuk janë arsyet që i përmendin me një patriotizëm të shpifur, por pikërisht frika nga funksionalizimi i Gjykatës speciale që do të prekë pikërisht “kriminelët me lidhje politike”, siç shprehet ambasadori Delawie.

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, në këtë mënyrë vazhdojnë të luajnë koqe me shtetin e Kosovës, me qytetarët e saj, me SHBA-të dhe me aleatët tjerë strategjikë, duke përcjellë mesazhin se për të shpëtuar lëkurën e tyre apo të shokëve të tyre, janë në gjendje të përmbysin shtetin, të destabilizojnë vendin dhe të kallin Kosovën.

Dhe ky është shantazhi që i bëhet shtetit, u bëhet qytetarëve të Kosovës, u bëhet SHBA-ve dhe aleatëve tanë strategjikë.