Mosha e kandidatëve, debati kryesor i fushatës presidenciale në SHBA

15.09.2016 10:49:23

Hillary Klinton është e shëndetshme dhe e aftë që të shërbejë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu deklaroi mjekja e saj, Lisa Bardack, pasi ekipi i Klintonit publikoi dosjen e saj mjekësore.

Disa ndihmës të ish-Zonjës së Parë thanë se ajo do të kthehet në fushatë të enjten pasi e ka kaluar problemi shëndetësor që i shkaktoi probleme në fundjavë.

Mediat amerikane shkruajnë se të dy kandidatët presidencialë, mes më të moshuarve që kanë garuar për këtë post, kanë qenë në presion të madh për të publikuar dosjet e tyre shëndetësore.

Që prej të dielës së shkuar, kur 68 vjeçarja Clinton u ndje keq në publik, çështjet shëndetësore të kandidatëve kanë dominuar fushatën elektorale. Në kuadër të publikimit të dosjes së Klintonit, zyrtarë të fushatës së saj thanë se gjendja e saj fizike është normale, ndërsa ajo mendore e shkëlqyer.