Mosnjohja e ligjit për Trepçën dhe bojkotimi i Kuvendit nga lista “Srpska” si obstruksion i Beogradit kundër Kosovës, dhe si mundësi për një fushatë diplamatike të diplomacisë sonë

09.10.2016 15:03:41

Nga Rexhep Kastrati

1

Lista “Srpska”, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka vendosur të bojkotojë Kuvendin dhe ka thënë se nuk e njeh ligjin për Trepçën. Në këtë mënyrë, kjo listë përfundimisht ka çjerrë maskën e konstruktivitetit dhe të konsensusit të deklaruar pak ditë më parë, dhe ka dalë në dritë të diellit se nuk e njeh rendin juridiko-kushtetues të Kosovës, dhe mbrenda sistemit është vetëm pse ka trysni ndërkombëtare mbi të dhe mbi Beogradin, dhe se nëpërmjet sistemit të përfitojë maksimalisht, por edhe të bëjë obstruksione si ky për bojkotimin e Kuvendit. Është e qartë se lista “Srpska” kurrë nuk ka deklaruar se e njeh shtetin e Kosovës, por asnjëherë më parë nuk është deklaruar kundër njohjes së ndonjë ligji të veçantë. Me monjohjen e ligjit për Trepçën, që është një qëndrim i drejtpërdrejtë i Beogradit dhe që më parë është shprehur edhe nga zyrtarët më të lartë të Serbisë, këshilltarët serbë të katër komunave të veriut të Kosovës, bordi menaxhues i shkritores në veri, por edhe vetë drejtues të listës “Srpska”, përfshirë edhe zëbendëskryeminstrin Stojanoviq, minstrin Mariq etj. Në këtë kuptim, me bendimin për bojkotimin e Kuvendit dhe me mosnjohjen e ligjit për Trepçën, lista “Srpska” vetëm sa ka legalizuar dhe ka normëzuar një qëndrim që ka qenë i njohur moti edhe në raport me ligjin për Trepçën, edhe në raport me shtetin e Kosovës. Por nëse deri më tash gjithë këto kanë qenë të ditura dhe në nivel të deklaratve dhe qëndrimeve, tash e tërë kjo ka marr formë të një vendimmarjeje jo vetëm politike. Edhe bashkërendimi ndërmjet listës “Srpska” dhe Beogradit kurrë më parë nuk ka qenë kaq i hapur dhe kaq i drejtpërdrejtë. Të gjthë, edhe bashkësia ndërkombëtare e ka ditur se lista “Srpska” është në bashkërendim të fortë me Beogradin, por që në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë të kushtëzojë kjo listë vendimmarrjen institucionale dhe shtetërore të Kosovës me pajtimin e Serbisë, nuk ka ndodhur ndonjëherë. Në këtë mënyrë, lista “Srpska” ka bërë të qartë, ka dhënë dëshmi se brenda sistemit është jo se e njeh sistemin, por për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë për përfitime dhe për obstruksione, dhe në këtë aspekt është shumë e ngjashme edhe me sektën okulte të Albinit, e cila, po ashu, është bërë pjesë e siszemit jo se e njeh këtë sistem, por për të përfituar maskimalisht dhe për të bërë obstruksione. E përmendi këtë, për të thënë se në kuadër të anagzhimeve për argumentimin destruktiv të saj ndaj sistemit dhe ndaj institucioneve, lista “Srpska” dhe ndonjë eksponent i saj ka bërë vetë paralelizëm me sektën okulte të Albinit. Kryetari i Graçanicës, zemljaku i Shpend Ahmetit, kur është pyetur se përse nuk e ka flamurin e Kosovës në tavolinë, është përgjigjur se as kryetari i Prishtinës nuk e ka flamurin e Kosovës. Kjo do të thotë se edhe në ballafaqimin eventual me trysni ndërkombëtare për të mos bojkotuar Kuvendin dhe për të pasur një qasje më konstruktive, lista “Srpska” mund të përpiqet si herë tjera të vëjë paralelizma me sektën okulte të Albinit.

2

Megjithatë, vendimi i listës “Srspka” për ta bojkotuar Kuvendin dhe për të mos njohur ligjin për Trepçën, është një mundësi e mirë për diplomacinë e Kosovës për të argumentuar me fakte dhe jo vetëm me qëndrime destruktivitetin e kësaj liste dhe të Beogradit në përgjithësi. Diplomacia e Kosovës duhet t’i mëshojë fort argumentit se Beogradi nëpërmjet listës “Srpska” është përpjekur dhe po përpiqet të bllokojë shtetin e Kosovës dhe rendin juridiko-kushtetues të saj. Në këtë kuptim, edhe negocitat  në Bruksel, beogradi nuk i sheh si mundësi për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, për fqinjësi dhe për stabilitet rajonal, por si mundësi për të përfituar dhe për të fituar kohë. Zvarritja e zbatimit të marrëveshjes për revitalizimin e urës mbi Ibër dhe kushtëzimet e vazhdueshme nga pala serbe lokale dhe të Serbisë, është një dëshmi tjetër, kurse refuzimi i zbatimit të marrëveshjeve të tjera të Brukselit, është edhe dëshmi tjetër. Kështu, qëndrimi dhe vendimi për të mos njohur ligjin për Trepçën duhet të shihet në kontekst të marrëveshjeve të Brukselit, dhe në mënyrë më konkrete problemet që i ka bërë për çështjen e Telekomit: në të dy rastet si për Telekomin ashtu edhe për Trepçën Serbia pretendon pronësinë mbi to. Zyrtarët më të lartë të shtetit serb janë deklaruar se nuk mund të heqin dorë nga prona e tyre mbi Telekomin e Kosovës. N këtë mënyrë, është formësuar qartë aspekti destruktiv i beogradit në raport me Kosovën, sepse nëse deri më tash bëhej fjalë për mosnjohjen pavarësisë së Kosovës, tash ka hapur qartë pretendimet mbi pronësinë mbi pasurnë dhe pronat e Kosovës. Dhe ky është qëndrim jo vetëm në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por është në kundërshtim edhe me rezolutën 1244, pasi që UNMIK ka bërë të qartë se pronësia mbi pasuritë e Kosovës nuk bie mbi Serbinë, si dhe ka shfuqizuar të gjitha ligjet diskriminuese të Serbisë ndaj Kosovës. Diplomacia e Kosovës, në këtë mënyrë ka mundësinë dhe argumentet për të argumentuar se Serbia me obstruksionet që po ia bën Kosovës, me mosrespektim të asnjë baze legale të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare që ka të bëjë me Kosovën, po synon të cenojë paqen dhe stabiltitetin në rajon. Dhe moszbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, për më tepër kundërshtimet e gjertanishme për Telekomin dhe qëndrimi për Trepçën janë vetëm mënyra për të mos normalizuar marrëdhëniet dhe për të garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Diplomacia e Kosovës në të gjitha takimet dypalëshe dhe shumëpalëshe duhet të ofrojë argumente të shumta për rolin obstruksionist dhe destruktiv të Beogradit në raport me Kosovën, dhe në këtë kontekst edhe të listës “Srspka”.

3

Një aspekt tjetër që Kosova dhe institucionet e saj duhet ta kenë parasysh, është edhe fakti se bojkotimi i Kuvendit nga lista “Srpska” në këtë kohë, e përdor ligjin për Trepçën vetëm si arsye, por në fakt synon shumë aspekte të tjera: bllokimin e shumcicës kuvendore shqiptare dhe të pakicave të tjera jo serbe, për të pamundësuar miratimin e ligjeve të ndryshme që nga demarkacioni e deri te transformimi i FSK-së në FA. Siç dihet, lista “Srpska” është pjesë e koalicionit qeverisës, që e ka të garantuar me kushtetutë, dhe në një kontekst konstruktiv sikurse të kuvendarëve të pakicave të tjera joserbe dhe joshqiptare, do të duhej që me lehtësi të kalonin ligjet me 2/3, pra edhe demarkacioni dhe transformimi i FSK-së në FA. Mirëpo, qëndrimi obstruksionist i saj, për shkak se Serbisë nuk i leverdis që të bëhet demarkimi i vijës kufitare me Malin e Zi, sepse do ta bënte kufi shtetëror, si dhe nuk i leverdis që të bëhet transformimi i FSK-së në FA, prandaj edhe nuk zgjedh mënyra dhe mundësi për të bërë obstruksione kundër Kosovës. Pra, ka boll argumente për të argumentuar se Beogradi po e përdor listën “Srpska” si një mekanizëm politik për të bllokuar, për të shantazhuar dhe për të penguar konsoldimin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe forcimin ligjor etj. Është momenti që shteti dhe institucionet e saj ta fillojnë një diplomaci më aktive ehde me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë që të nxjerrin dhe të argumentojnë të gjitha përgjegjësitë e Serbisë për osntruksione edhe ndaj Kosovës, por edhe ndaj baskësisë ndërkombëtare në raport me Kosovën. Kur them këtë kam parasysh pikërisht obstruksionet që po i bën nëpërmjet listës “Srpska” në kuadër sistemit dhe jashtë tij, si dhe me obstruksionet ndaj marrëveshjeve të Brukselit dhe në përgjithësi ndaj nismave të ndryshme rajonale dhe më gjerë.