Mosrespektimi i Kushtetueses, Kurti del haptas kundër udhëzimeve të SHBA-së dhe BE-së

29.05.2020 13:11:52

SHBA-të dhe BE-ja tashmë kanë bërë thirrje që vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë të respektohet plotësisht,  nga të gjitha palët. Mirëpo, Vetëvendosje dhe Albin Kurti tashmë kanë dalë haptas kundër këtyre udhëzimeve, duke e cilësuar verdiktin në fjalë si të papranueshëm.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, u tha në deklaratën e SHBA-ve mbrëmë të lëshuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sidoqoftë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot gjatë ditës konfirmoi se nuk do t’i ndjekë këto udhëzime.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se verdikti i Kushtetueses është i papranueshëm, dhe si i tillë, sipas vlerësimit të tij është ka qenë i njëanshëm dhe paragjykues.

“Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon”, ka shkruajtur Kurti më herë në një postim në Facebook.

Mirëpo nuk janë vetëm SHBA-të ato të cilat kanë kërkuar respektim të plotë të  vendimit të Kushtetueses.

Edhe Bashkimi Evropian, më herët bëri thirrje që të gjithë aktorët politik në Kosovë të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe të ndërmarrin hapat e nevoshëm për zbatimin e tij.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të Kosovës që të respektojnë vendimin e Gjykatës dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta zbatuar atë. Kjo ka të bëjë me respektimin e një parimi kryesor të sundimit të ligjit”, kanë thënë nga BE.

Sidoqoftë, këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër nga vet Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje.

Kurti në postimin e sotëm tha se do të njoftojë opinionin për hapat e ardhshëm politik në drejtim të kundërshtimit të këtij vendimi.

“Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykates Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim”, shkroi tutje Kurti.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha mbrëmë verdiktin final sa i përket dekretit të presidentit Thaçi që mandaton Avdullah Hotin e LDK-së si kandidat për kryeministër.

Gjykata gjeti se dekreti në fjalë është në përputhje me Kushtetutën, duke i hapur rrugë kështu formimit të qeverisë së re në Kosovë