Moti i keq, Emergjencat, MM dhe FA vijojnë shpërndarjen e ndihmave

21.01.2017 11:48:09

Veç transportit të ndihmave me helikopter në zonat e bllokuara nga bora, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë vijuar shpërndarjen e ndihmave edhe për familjet në nevojë. Ditët e fundit, shpërndarja e ndihmave për këto familje, është përqendruar në njësitë administrative Maqellarë, Sllovë dhe Shupenzë të Dibrës.

Gjatë shpërndarjes së ndihmave në këto zona ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, e cila shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Dibrës z. Muharrem Rama si dhe nga përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.

Ministrja Kodheli përmendi angazhimin e FA gjatë emergjencave në këtë bashki, si dhe i konsideroi këto ndihma si një kontribut shtesë për familjet më në nevojë. “FA janë pjesë e emergjencave edhe kur flitet për ndërhyrje të jashtëzakonshme nga ajri, edhe kur flitet për hapje rrugësh. Ju siguroj që vëmendja ka qenë e jashtëzakonshme edhe në kushtet e pamundësisë. .Ne kemi bërë të mundur hapjen e rrugëve qofshin këto nacionale, qofshin këto lokale dhe rurale dhe mundësimin e ndihmave për njerëzit në nevojë.

I jemi përgjigjur pozitivisht si Forcë e Armatosur nevojës që kanë disa familjeve për të pasur një dorë më shumë, për të pasur një mbështetje më shumë. Ndaj unë dua të falenderoj më së pari Forcat e Armatosura, gjithë stafin e Ministrisë së Mbrojtjes që kanë bërë të mundur realizimin e këtyre ndihmave dhe përgjigjen e menjëhershëm dhe pozitive që kanë ndaj kësaj thirrjeje.”- theksoi ministrja Kodheli, e cila premtoi ndihmën e vazhdueshme të qeverisë për këtë zonë dhe banorët e saj.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Dibrës z, Muharrem Rama falënderoi Forcat e Armatosura për ndihmën dhe bashkëpunimin e ofruar, duke shtuar sipas tij, gjendjen totalisht të normalizuar të rrugëve në këtë bashki.

“Desha ta falënderoj ministren e Mbrojtjes, e cila ka qenë prezent disa herë në Dibër gjatë këtij moti të jashtëzakonshëm në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë. Kemi pasur ndihmë konkrete disa herë në ndihma ushqimore për famljet në nevojë. Njëkohësisht na janë ofruar edhe mjetet e ushtrisë për pastrimin e rrugëve dhe në bashkëpunim edhe me ministrinë e Mbrojtjes dhe të Rendit, rrugët e Dibrës kanë qenë të hapura. Janë shpërndarë disa pako ushqimore jo vetëm në Sllovë, por edhe në Maqellarë dhe në qytetin e Peshkopisë e disa zona të tjera. I jam mirënjohës qeverisë shqiptare për ndihmën që i ka dhënë Dibrës.”- u shpreh z. Rama. Shpërndarja e ndihmave nga Forcat e Armatosura në Maqellarë, Sllovë dhe Shupenzë vjen pas atyre në disa familje të Bashkisë së Klosit. Angazhimi i FA vijon gjithashtu me transportin e ndihmave në zonat e bllokuara dhe hapjen e rrugëve të tyre.