Mourinho tregon kampionatin ku do donte të drejtonte në të ardhmen

18.02.2019 23:32:34

Jose Mourinho vijon të jetë ende pa një skuadër në të cilën të impenjohet, edhe pse spekulimet e fundit mediatike që e projektojnë të ardhmen e tij në stolin e klubeve të mëdha europiane, nuk kanë munguar.

Gjithsesi aludimet duket se nisin të marrin një trajtë më konkrete, pas kësaj fundjave, me portugezin që është parë këtë të diel duke monitoruar talentet e ligës së parë franceze. I orientuar drejt së ardhmes, kontroversi Mourinho deklaron se nuk i ndjek më takimet e “Djajve të Kuq”.

“Më mungon interesi për të parë ndeshjet e United, në këtë mënyrë nuk e pashë as disfatën e tyre ndaj PSG-së. Preferoj të shoh disa takime herë pas here, por fokusi është në kampionatet e tjera nga ai anglez. Njoh çdo lojtar në detaje, në Premeir League. Tanimë mund ta imagjinoj veten si trajner në kampionatin francez, jam një njeri që ka ushtruar profesionin e tij në katër shtete të ndryshme, kjo sepse më pëlqen të mësoj dhe të njoh kultura të reja, ndaj imenjimi im në një kampionat të ri do të ishte një eksperiencë fantastike. Aktualisht po shijoj qetësinë dhe kohën e lirë nga angazhimet. I jam përkushtuar familjes dhe miqve, ndërkohë që po shqyrtoj me kujdes opsionet për aventurën e re. Të qëndrosh dy-tre muaj pushim është diçka e mire, por më shumë se kaq kthehet në stres. Kisha mundësinë të qetësohesha dhe reflektoja, dhe tani do rikthehem më i fortë se më parë. Projekti im si trajner nis pikësëpari me përmirësimin vetjak për t’iu përkushtuar më pas pasionit tim, futbollit”, tha Mou.

Shkarkimi i Mourinhos ndodhi dhjetorin e shkuar, pas disfatës 3-1 ndaj Liverpoolit dhe që atëherë emri i tij është lakuar për një rikthim tek Real apo zikaltrit e Interit, gjithsesi, prononcimi i fundit nga portugezi lë të hapur pistën e shumëpërfolur për një aventurë të re tek kampionët e Francës.