MPB në tetor planifikon të ankohet për vendimin e Arbitrazhit lidhur me pasaportat

24.09.2016 17:15:40

Ministria e Punëve të Brendshme është duke përgatitur ankesën për ta dërguar në gjykatat vendore lidhur me vendimin e Gjykatës së Odës Ndërkombëtare Ekonomike në Paris, vendim i cili obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’ia paguajë 4 milionë e 996 mijë e 131 euro, kompanisë austriake “AG Staatsdruckerei”.

Në fund të muajit korrik kjo gjykatë kishte marr vendim në  favor të kompanisë austriake e cila kishte paditur MPB-në për shkëputje të një anshme të kontratës lidhur me tenderin për pasaportat  biometrik.

Avokati i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ahmet Hasolli ka thënë se janë në përgatitje të lëndës dhe më së largu brenda muajit tetor do të dërgohet në gjykatë, transmeton lajmi.net.

“Ne jemi duke punuar në përgatitjen e lëndës së ankesës dhe brenda muajit tetor do të ankohemi në gjykatat vendore në bazë të instrumenteve ligjore”, ka thënë Hasolli, për lajmi.net, duke shtuar se tani për tani kjo është e tëra për këtë proces.

Zyrtarë të MPB-së, një ditë pas vendimi të gjykatës në favor të kompanisë austriake, në një konferencë për media ishin deklaruar se  çështja është shumë serioze,  sepse vendimi i Arbitrazhit në një formë cenon kredibilitetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, po ashtu edhe të Qeverisë së Kosovës.

Driton Gashi, sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, kishte thënë se Ministria është duke e trajtuar shumë seriozisht vendimin e Arbitrazhit.

“Çështja është shumë serioze sepse vendimi i Arbitrazhit në një formë cenon kredibilitetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse sa është serioze tregon edhe puna që po e bëjmë dhe angazhimet që i kemi qoftë në avokatë privatë, qoftë me zyrtarë të Ministrisë. Se sa është fajtore Ministria në këtë çështje kemi një vendim gjykate përfundimtar, i cili përcakton fajtorin e kësaj ngjarjeje”, ishte shprehur  ai.

Ndryshe, në vitit 2013 shtypshkronja shtetërore e Austrisë kishte ngritur padi në Gjykatën e Odës Ndërkombëtare Ekonomike në Paris kundër Republikës së Kosovës. Arsyet e ngritjes së padisë ishin pagesat e pakryera rreth prodhimit të pasaportave biometrike, sikurse kërkesa për kompensim për shkak ndërprerjes së parakohshme të kontratës nga ana e Republikës së Kosovës.

Lidhur me tenderin e pasaportave biometrik në vitin 2013 ishte kishin filluar hetimet për dyshime për keqpërdorime në tender.

Për këtë rast EULEX-i kishte shpallur fajtore Natali Veliaj dhe disa zyrtarë të MBP-së.