MPJ-ja pagoi 14 mijë euro qira për një banesë në Zvicër që nuk u shfrytëzua fare

23.06.2017 21:22:15

Ministria e Jashtme pagoi më shumë se 14 mijë euro qira për një banesë në Bernë të Zvicrës, por as një nga diplomatët e saj nuk ka dashur të qëndrojë aty. Kjo sipas Auditorit të Përgjithshëm, është keqpërdorim i parasë publike.

14 mijë e 166 euro është shuma që Ambasada në Bernë kishte paguar për një banesë me qira, e cila deri me 30 shtator të 2015 ishte në shfrytëzimi të konsullit kosovar në këtë qytet.

Qiraja u pagua deri në shtator 2016 me qëllimin e vetëm për ruajtjen e saj për të emëruarit e rinj, por çuditërisht asnjëri nga ta nuk kishte pranuar të vendoset në të.

 

Tutje, kjo ambasadë dhe ajo në Romë kanë tejkaluar edhe limitin e caktuar për paratë e imta, duke shkelur Udhëzimin Administrativ, i cili për shpenzimet operacionale autorizon MDK-të të mbajnë para të imëta në vlerë deri në 500€, por të cilat duhet të raportohen në baza mujore.
Auditori thotë se ka vërejtur se këto Ambasada kishin mbushur arkën e parave të imëta deri në 2,400€ brenda muajit.

Por gjatë vitit 2016, misioni në Bernë kishte shpenzuar nga arka 23,013€, përderisa Ambasada në Romë kishte shpenzuar 11,208€.

Tejkalimi i këtyre limiteve paraqet pagesa të parregullta, të cilat e dëmtojnë buxhetin e Misioneve Diplomatike.

Auditori ka gjetur po ashtu vonesa në regjistrimin e shpenzimeve të bëra nga ambasadat të cilat pavarësisht që i kanë raportuar me kohë shpenzimet financiare, Ministria e Jashtme, regjistrimin e tyre në SIMFK e ka bërë me vonesë mbi 5 muajsh.

Rreziku i kësaj ndikon në nënvlerësim të shpenzimeve reale, po ashtu rrit rrezikun e mospërfshirjes së të gjitha shpenzimeve në raportet financiare.

300 mijë euro është vlera e një pagese që MPJ-ja i ka dhënë një përfituesi të subvencioneve, pa përgatitur një marrëveshje paraprake ku do të duhej të specifikoheshin kushtet e këtij subvencionimi.

Në një rast tjetër MPJ-ja përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi kishte subvencionuar një grup gazetarësh në vlerë 2,070€, për qëllim të promovimit të sportit Kosovar nëpër Evropë .

Por pavarësisht që sipas marrëveshjes, përfituesi duhej të raportojë në MPJ lidhur me implementimin e projektit brenda periudhës tremujore, asnjëherë nuk dha dëshmi për zbatimin e tij.

Nga 19 rekomandime, që MPJ-ja mori vitin e kaluar, ka arritur të përmbushë vetëm tre, 8 nuk janë realizuar fare, ndërsa 8 të tjera janë në zbatim e sipër.