Mqedonia në pritje të valës së dytë më masive të emigrantëve nga Afrika

20.08.2016 10:47:44

 Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në ceremoninë e ndarjes së dekoratave për merita ushtarake, deklaroi se, “19 gushti do të shkruhet në historinë e Maqedonisë moderne, sepse në këtë datë para një viti është deklaruar gjendja e krizës, për shkak se vendi u ballafaqua me një nga sfidat më të mëdha të dekadave të fundit, e ajo është kriza e refugjatëve dhe migrantëve”.

Presidenti Ivanov theksoi se kjo krizë gjeti Bashkimin Evropian (BE) të papërgatitur dhe se shumë ideale, parime, politika dhe mekanizma evropiane ranë në provë të saj. Ai shtoi se Frontex dhe zona e Shengenit iu nënshtruan presionit të valës së migrantëve dhe kjo dëshmoi se kriza nuk mund të zgjidhet vetëm me deklarata politike dhe procedura burokratike, por duhet të menaxhohet edhe me mbështetjen e shërbimeve të sigurisë dhe strukturave të ushtrisë.

“Të prekur nga kjo sfidë e madhe, vendosëm të mbrojmë territorin dhe të kontrollojmë valën e migrantëve. Ishim vendi i parë në Evropë që nuk është anëtare e BE-së, e cila shpalli gjendje krize nga kërcënimi i migrimit ilegal që vinte nga territori i Bashkimit Evropian”, deklaroi Ivanov.

Presidenti Ivanov duke theksuar se Maqedonia edhe pse është përpjekur të bëj më të mirën e mundshme, për një kohë të gjatë është përballur me papërgjegjshmërinë e shërbimeve të fqinjit jugor, shtoi se “Edhe pse kemi marrë ndihmë dhe mbështetje nga shumë vende evropiane, jemi ende në pritje për të parë ndihmën konkrete nga Bashkimi Evropian, sigurinë e së cilës e ruajmë ne”.

Ai në vijim të fjalës së tij, duke iu drejtuar Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) dhe autoriteteve kompetente për punë kufitare, tha se përveç sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë, ata kanë ruajtur edhe portën e Evropës.

“Deri më tani jeni mbajtur shumë mirë, por nuk guxoni të lëshoheni. Kërcënimi i migrimit ilegal ende është i pranishëm. Në pritje është një valë e dytë, valë më masive e emigrantëve nga Afrika. Ende ekziston kërcënim për hapjen me forcë të korridorit ballkanik për emigrantët. Sulme të shpeshta terroriste polarizuan shoqëritë evropiane. Kontrabandistët nuk flenë, por hulumtojnë për të shpikur mënyra të reja, rrugë alternative të migrimit për të punuar nga trafikimi me njerëz”, deklaroi Ivanov.

Presidenti Ivanov me dekoratë për merita ushtarake dekoroi Sektorin për punë kufitare dhe migrime, si dhe Njësinë për trajnim dhe mbështetje pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dekorata u nda për merita të veçanta dhe për kontributin e dhënë në ruajtjen e sovranitetit, pavarësisë dhe integrimit territorial të vendit si dhe për përforcimin e sigurisë kombëtare dhe sigurisë së qytetarëve të Maqedonisë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Mitko Çavkov, deklaroi se këto dy njësi që u dekoruan me merita ushtarake kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme në fushën që veprojnë dhe se policia kufitare është e organizuar në përputhje me standardet evropiane me menaxhimin e kufijve.