Mrekullia Leipzig, leksion edhe Leverkusenit

18.11.2016 23:15:04

Fenomeni “Liepzig” po mahnit futbollin gjerman. Skuadra e themeluar në vitin 2009, ngjitet e vetme në krye të Bundesligës pasi mposhti 2-3 me përmbysje Bayer Leverkusenin brenda në “Bay Arena”. “Aspirinat” kaluan dy herë në avantazh, por miqtë jo vetëm që arritën të barazonin por shënuan edhe golin e fitores që i shkëput me tri pikë nga Bayerni, i cili ka një transfertë të vështirë me Dortmundin në Signal Iduna Park.

Fillimi ishte vërtet i vrullshëm për Leverkusenin që shënoi me Kampl p au mbushur një minutë lojë. Vetëm tre minuta më pas një autogol i Baumgartlinger ktheu shumë shpejt baraspeshën.

Në minutat shtesë të pjesës së parë Brandt i asistuar nga Calhanoglu riktheu entiziazmin në Bay Arena. “Aspirinat” mund ta kishin mbyllur ndeshjen në të 54-ën por Calhanglu gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Ky ishte momenti i kthesës pasi Liepzigut përmbysi rezultatit me golin e Forsberg në të 67-ën dhe finalizimin e Orban në minutën e 81-të me rezultatin që nuk ndryshoi më deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.