MSH: Nuk ka shkelje të ligjit, nevoja për barna ishte emergjente

03.02.2018 20:50:27

Në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk thuhet se Ministria e Shëndetësisë ka bërë shkelje të legjislacionit të prokurimit në lidhje me Tenderin për Furnizim me material shpenzues për Hemodializë.

Ministria e Shëndetësisë ka kryer një aktivitet tenderues për furnizim emergjent për një periudhë gjashtë (6) mujore, dhe nuk është Kontratë e Rregullt kornizë.

Furnizimi emergjent ka qenë zgjidhja e vetme dhe e detyrueshme për Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të skadimit të Kontratës paraprake tri (3) vjeçare) dhe për shkak të mungesës së materialeve. Dhe më e rëndësishmja, furnizimi emergjent ka qenë i detyrueshëm për shkak se jeta e shumë personave ka qenë e rrezikuar në rast se nuk do siguroheshin këto materiale për hemodializë.

Vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) PSH nr. 504/17, në mënyrë të qartë ka Vendosur dhe sqaruar se gjatë procedurës tenderuese për furnizim emergjent me material shpenzues për hemodializë Ministria e Shëndetësisë në tërësi ka respektuar dispozitat dhe kërkesat ligjore të Legjislacionit të Prokurimit Publik.

Gjithashtu kjo procedurë është bërë në transparencë të plotë duke e lajmëruar paraprakisht edhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Fakti se Ministria nuk ka shkelur dispozitat e ligjit të prokurimit sqarohet dhe konstatohet në paragrafin e fundit të faqe 9 të Vendimit të OSHP-së, dhe me faktin e lënies në fuqi të Vendimit për furnzimin emergjent.

Sugjerimi i vetëm i OSHP-së në Vendimin në fjalë ka qenë që në të ardhmen ky aktivitet tenderues të jetë i hapur i hapur për konkurrencë. Dhe kjo është arsyeja përse Ministria e Shëndetësisë në një periudhë shumë më të hershme se vendimi i OSHP-së, për t’i dhënë fund monopolit, ka vendosur për zhvillimin e procedurave tërësisht të hapura tenderuese, duke krye aktivitet tenderues për furnizim emergjent vetëm për një periudhë gjashtë mujore.

Përderisa hapja e tërësishme e konkurrencës kërkon kujdes të shtuar në lidhje me cilësinë e produkteve të cilat mund të ofertohen dhe jetën e shëndetin e pacientëve, Ministria e Shëndetësisë është duke punuar afër me mjekët dhe specialistët e fushës për të arritur qëllimin e blerjes së produkteve cilësore me çmime të arsyeshme.