Mucunski dhe Gashi bisedojnë për promovimin e shërbimeve elektronike

28.09.2016 21:22:05

Sot në Shkup janë takuar zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Timço Mucunski dhe zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besa Zogaj Gashi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në këtë takim është biseduar rreth zhvillimit të projekteve të përbashkëta në pjesën e promovimit të shërbimeve elektronike me qëllim të rritjes së punësimit,

Mbledhja, në të cilën kanë marrë pjesë edhe ekipe ekspertësh nga të dy ministritë, është zhvilluar në atmosferë konstruktive, me ç’rast është konstatuar se bashkëpunimi mund të realizohet në nivel bilateral, me mundësi për thellimin e saj dhe zgjerimin edhe në korniza rajonale.

“Mucunski dhe Gashi në të njëjtën kohë e konfirmuan përpjekjen për realizimin e takimeve të tilla dhe të ngjashme, në drejtim të realizimit të projekteve të ardhshme”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratë.