Mufail Limani: Dashuria e mban gjallë shtetin e Kosovës

10.02.2018 12:22:19

Analisti Mufail Limani thotë se kosovarët po mësohen që ta duan shtetin e vet, ndërsa beson se Kosova do të jetojë për aq sa e duan qytetarët e saj.

Këtë mesazh, ai e jep në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.“Kurrë nuk është e mjaftueshme dashuria ndaj shtetit, ndaj atdheut, ndaj vendit të cilit i përket. Në rastin tonë, mendoj se kosovarët po mësohen ende që ta duan shtetin e vet.

Në disa raste kanë treguar që janë të gatshëm edhe për sakrifica dhe për kontribut të mëtutjeshëm, kushdo dhe kudo që është”, thotë Limani.“Në disa raste nuk kemi treguar aq dashuri të madhe ndaj shtetit, të habitur, të hutuar dhe të ngarkuar me luftërat dhe betejat tona të brendshme politike”, shton ai.

Limani, po ashtu, pohon se dashuria është ajo që e mban gjallë shtetin.“Megjithatë, jam optimist, sepse për aq sa po mësohemi me shtetin tonë, për aq sa po mësohemi me lirinë tonë, për aq dashuria për shtetin po bëhet gjithnjë më e ditur se është jetike, është tepër e rëndësishme dhe është diçka që realisht e mban shtetin gjallë. Kosova jeton për aq sa e duan kosovarët”, shprehet ai.

Limani, në këtë përvjetor të 10 të pavarësisë, thotë se Kosova është europiane dhe fati i kosovarëve është Perëndimi.“Mesazhi im është që ta duam shtetin tonë, ta duam vendin tonë, ta duam popullin tonë. Shteti ynë nuk është i përsosur, është vend i varfër, i cili ka synime të mëdha. I ftoj të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë që të bëjnë gjithçka që është e mundur që ta shpëtojnë vendin tonë nga kjo situatë e rëndë ekonomike, në mënyrë që vendi ynë të bëhet një vend europian. Kosova është europiane, Kosova duhet të jetë pjesë e Europës, dhe fati ynë është Perëndimi”, thotë Limani.